Turqia i kërkon Suedisë që të ndërmarrë hapa kundër terroristëve “pa vonesa të mëtejshme”

“Fakti që PKK-ja terroriste mund të sfidojë qeverinë suedeze në zemër të Stokholmit është dëshmi se autoritetet suedeze nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm kundër terrorizmit”, tha shefi i Komunikimeve, Fahrettin Altun

Ankaraja dënon fuqishëm mbështetësit e grupit terrorist PKK/YPG në Suedi që vazhduan provokimet e tyre kundër Türkiye-s dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan, tha drejtori i Komunikimeve pranë Presidencës turke, Fahrettin Altun, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne dënojmë më së ashpri shënjestrimin e Türkiye-s dhe presidentit të saj të zgjedhur në mënyrë demokratike nga anëtarët e organizatës terroriste PKK në Suedi. U bëjmë thirrje autoriteteve suedeze të ndërmarrin hapat e nevojshëm kundër grupeve terroriste pa vonesa të mëtejshme”, shkroi Altun në Twitter.

Komentet e Altun-it erdhën pasi mbështetësit e grupit terrorist u mblodhën përpara bashkisë historike në kryeqytetin Stokholm, varën nga këmbët një kukull që portretizonte presidentin turk Erdoğan përpara ndërtesës dhe shpërndanë pamjet në rrjetet sociale.

Në videon me titra turqisht, e publikuar në llogaritë e rrjeteve sociale të lidhura me organizatën terroriste PKK/YPG, mund të vërehen kërcënime që synojnë Türkiye-n dhe Presidentin Erdoğan.

“Suedia duhet të mbajë premtimet e bëra në Madrid për t’u bashkuar me NATO-n, anëtare e së cilës Türkiye është prej 70 vjetësh. Do të ishte e kotë të pritet që Türkiye të bëjë ndonjë lëshim në këtë drejtim”, tha Altun.

“Fakti që PKK-ja terroriste mund të sfidojë qeverinë suedeze në zemër të Stokholmit është dëshmi se autoritetet suedeze nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm kundër terrorizmit, siç kanë pretenduar ditët e fundit”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme