Turqia ka pritur mbi 10 milionë turistë deri në gusht 2021

Destinacionet më të njohura në Turqi në shtatë muajt e parë të këtij viti ishin Stambolli, Antalya dhe Edirne.

Turqia ka pritur 10,88 milionë vizitorë të huaj në shtatë muajt e parë të vitit 2021, njoftoi sot Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave zyrtare, shifra është më lartë për 85,44 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por 78 për qind më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019, para se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) të shkaktojë goditje të rëndë udhëtimeve ndërkombëtare.

Destinacioni kryesor ishte Stambolli, ku qëndruan 38,2 për qind të vizitorëve të huaj, apo 3,85 milionë mysafirë.

Në destinacionin atraktiv të Mesdheut, Antalya, u regjistrua numri i dytë më i lartë, 3,26 milionë, kurse e treta radhitet Edirne në Turqinë veriperëndimore, e cila kufizohet me Bullgarinë dhe Greqinë me rreth 1,22 milion vizitorë.

Më së shumti turistë në Turqi erdhën nga Rusia, 15,41 për qind, Gjermania 12,5 për qind, Ukraina 11,08 për qind, Bullgaria 4,85 për qind dhe Irani 4,3 për qind.

Vetëm në korrik, Turqia priti 4,36 milionë turistë, që është 367,5 për qind më shumë se vitin e kaluar dhe 86 për qind më pak se të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Muajin e kaluar, Antalya, Stambolli dhe Edirne ishin destinacionet kryesore turistike.

Vitin e kaluar, më shumë se 12,7 milionë të huaj arritën në Turqi gjatë pandemisë, ndërsa në vitin 2019, ishin rreth 45,05 milionë.

Kategoritë
BotaLajme