“Turqia me sukses shkatërroi strofkat e terroristëve në operacionin e ri në veri të Irakut dhe Sirisë”

Türkiye do të vazhdojë të kërkojë llogari nga ata që shënjestrojnë sigurinë e vendit, tha ministri Hulusi Akar, pasi vendi zhvilloi një operacion të ri antiterrorist në veri të Sirisë dhe Irakut.

Türkiye shkatërroi “me sukses” strofkat e terroristëve gjatë një operacioni të ri ajror në rajonet veriore të Irakut dhe Sirisë, njoftoi ministri i Mbrojtjes i vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Strofkat, bunkerët, shpellat, tunelet dhe depot e terroristëve u shkatërruan me sukses. Ne i ndoqëm ata nga afër. U goditën dhe u shkatërruan gjithashtu të ashtuquajturat selitë e organizatës terroriste”, tha ministri Hulusi Akar në fjalimin e tij në qendrën operacionale nga kryeqyteti Ankara.

Deklaratat e tij erdhën pasi Türkiye kreu një operacion të ri ndërkufitar, “Kthetra-Shpata”, kundër grupit terrorist PKK/KCK/YPG në veri të Irakut dhe Sirisë. Ministria e Mbrojtjes tha se operacioni u krye në përputhje me të drejtën e vetëmbrojtjes që rrjedh nga neni 51 i Kartës së OKB-së.

“Vetëm terroristët dhe strehët që u përkisnin u vunë në shënjestër… Kthetrat e Forcave tona të Armatosura Turke ishin përsëri mbi terroristët”, tha Akar.

Türkiye do të vazhdojë të kërkojë llogari nga ata që shënjestrojnë sigurinë e vendit, u zotua ai.

Operacioni pason sulmin terrorist të së dielës së kaluar në rrugën e frekuentuar Istiklal të Istanbulit, në të cilin u vranë gjashtë persona dhe u plagosën 81.

“Qëllimi ynë është të garantojmë sigurinë e 85 milionë qytetarëve tanë dhe kufijve tanë dhe t’i përgjigjemi çdo sulmi tradhtar ndaj vendit tonë”, theksoi Akar.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.

Kategoritë
BotaLajme