200 pako të siguruara nga Ministria turke e Arsimit, është paraparë që të plotësojnë nevojat e të gjithë nxënësve të arsimit special në Kosovë.
Në Prizren të Kosovës është organizuar ceremoni e shpërndarjes së materialeve shkollore për nxënësit me nevoja të veçanta të siguruara nga Ministria turke e Arsimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ceremonia është mbajtur në Shkollën e Mesme Ekonomike “Ymer Prizreni”, me pjesëmarrjen e atasheut të arsimit pranë Ambasadës së Türkiye-s në Prishtinë, Şerafettin Turan, kryekonsullit turk në Prizren, Serdar Özaydın, drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Prizrenit Luljeta Veselaj Gutaj, kryetarin e Shoqatës së Mësuesve Turq të Kosovës, Erol Kala, si dhe përfaqësuesve të Kryesisë së Delegacionit Turk në Kosovë.
Turan në fjalimin e tij të rastit, theksoi se dorëzimi i materialeve në Kosovë është bërë me koordinimin e institucioneve të Türkiye-s që veprojnë në Kosovë.
Ai tha se po punojnë në kërkim të shkollave të reja simotra mes Türkiye-s dhe Kosovës.
“Gjendemi në ceremoninë e shpërndarjes së materialeve shkollore të ardhura nga Ministria jonë e Arsimit për nxënësit me autizëm të rëndë, autizëm të moderuar, autizëm të lehtë, nxënës me dëmtim shikimi dhe dëgjimi, gjë që e realizuam në bashkëpunim me drejtoreshën e arsimit për nxënësit me nevoja të veçanta. Bashkëpunimi ynë i mirë në Prizren në sferën arsimit do të vazhdojë”, tha ai.
Gutaj, nga ana e saj, tha se si komunë do të bëjnë përpjekjet e nevojshme për riintegrimin e nxënësve të arsimit special në shoqëri.
“Falënderoj shumë përzemërsisht Ministrinë turke të Arsimit për mbështetjen me pajisje didaktike për fëmijët me nevoja të veçanta. Do të vazhdojmë me bashkëpunimet e tilla dhe do të ngremë standardet e mësuesve të cilët punojnë me këta fëmijë”, theksoi ajo.
Pas fjalimeve, të ftuarit shqyrtuan materialet shkollore të dërguara për nxënësit me nevoja të veçanta.
200 pako të siguruara nga Ministria turke e Arsimit, është paraparë që të plotësojnë nevojat e të gjithë nxënësve të arsimit special në Kosovë.