Banorët e qyteteve të goditura nga tërmetet u mblodhën në sheshet në orën 4:17 të mëngjesit, në kohën kur goditi gërmeti i parë, për të qëndruar në heshtje në nder të viktimave
ürkiye shënoi përvjetorin e dytë të dy tërmeteve shkatërruese që goditën pjesën jugore të vendit më 6 shkurt 2023, si pasojë e të cilëve humbën jetën 53.537 persona dhe më shumë se 107.000 të tjerë u plagosën, raporton Anadolu.
Banorët e qyteteve të goditura nga tërmetet u mblodhën në sheshet në orën 4:17 të mëngjesit, në kohën kur goditi gërmeti i parë, për të qëndruar në heshtje në nder të viktimave.
Marshime në heshtje u mbajtën edhe në disa qytete për të nderuar viktimat e fatkeqësisë.
Në Pazarcık, komuna në të cilën ishte epiqendra e tërmetit në Kahramanmaraş, banorët u mblodhën para Kullës së Sahatit, e cila ka mbetur e ndaluar në orën 4:17 të mëngjesit.
Në Hatay, një nga provincat më të goditura, përfaqësues nga tre fetë abrahamike bënë lutje për viktimat, si pjesë e ceremonisë përkujtimore.
Karafila të kuq u hodhën më vonë në lumin Orontes, i njohur si lumi Asi në Türkiye, në kujtim të atyre që humbën jetën.
Më 6 shkurt 2023, tërmete me magnitudë 7.7 dhe 7.6 goditën 11 provinca turke: Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Elazığ, Hatay, Gaziantep, Kahramanmaraş, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.
Më shumë se 14 milionë njerëz në Türkiye u prekën nga tërmetet, si dhe shumë të tjerë në veri të Sirisë.
– Türkiye do të vazhdojë rindërtimin e rajoneve të goditura nga tërmeti
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, ndau një mesazh në X duke nderuar 53.537 viktimat e tërmeteve, duke u lutur për mëshirë për shpirtrat e tyre.
“Që nga dita e parë, ne u bashkuam si shtet dhe popull, duke thënë ‘ne jemi një’ dhe asnjëherë nuk e tërhoqëm mbështetjen tonë nga rajonet e prekura nga tërmeti”, tha ai.
Presidenti Erdoğan premtoi vazhdimin e përpjekjeve të rindërtimit, duke thënë se do të vazhdojnë “me vendosje të palëkundur, punë të palodhur dhe qëndrueshmëri” derisa çdo qytetar të ketë një shtëpi të sigurt.
Më vonë gjatë ditës, Erdoğan do të marrë pjesë në një program përkujtimor në Adıyaman.