Turqia, rrobaqepësi me prejardhje shqiptare përveç zanatit të tij del në skenë edhe si solist

Fikri Danış, 72-vjeçari me origjinë shqiptare, prej 55 vitesh punon si rrobaqepës dhe solist në rrethin Gemlik të Bursës. Ai tha se talenti i tij u zbulua duke kënduar në lagje kur kthehej në shtëpi në mbrëmje, kur ishte nxënës në rrobaqepësi.

Fikri Danış, 72-vjeçari me origjinë shqiptare, prej 55 vitesh punon si rrobaqepës dhe solist në rrethin Gemlik të Bursës në Türkiye.

Danış, i cili e filloi karrierën e rrobaqepësisë si çirak nën drejtimin e babait të tij dhe hapi dyqanin e tij, ende punon në dyqanin e tij gjatë ditës kurse mbrëmjeve del në skenë me zërin e tij të bukur.

Fikri Danış në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se talenti i tij u zbulua duke kënduar në lagje kur kthehej në shtëpi në mbrëmje, kur ishte nxënës në rrobaqepësi.

Duke thënë se ai u takua me Erdinç Çelikkolin, i cili ishte dirigjent në Konservatorin e Bashkisë Metropolitane të Bursës dhe filloi të merrte mësime të muzikës klasike turke nga ai derisa ende punonte si rrobaqepës në shkollën e mesme, Danış tha se i duhej të linte mësimet pas një periudhe për shkak të vështirësive në transport.

– “Ditën kisha një matës shirit dhe natën një mikrofon në dorë”

Danış formoi një grup me miqtë e tij në lagje. “Kemi formuar një grup prej 4 personash të quajtur ‘Pulëbardhat’. Unë isha solist dhe shokët e mi u binin instrumenteve. Të gjithë dilnim në skenë në dasma dhe evente të ndryshme. Ditën kisha një matës shirit në dorë dhe në mbrëmje mikrofonin në dorë”, tha ai.

Danış thotë se kur ishte 17-vjeç, daja i tij e incizoi fshehurazi zërin e tij dhe e dërgoi në një kompani diskografike në Istanbul dhe pavarësisht se mori një ofertë nga kjo kompani, ai qëndroi në Gemlik për shkak të kushteve të vështira të periudhës.

Ai tha se kur shkoi në shërbimin ushtarak komandantët e tij e çuan në klubin e oficerëve, pasi mësuan se kishte zë shumë të bukur. “Unë u këndoja këngë ushtarëve, familjeve të tyre dhe protokollit në ftesa. Nuk e harroj kurrë, në atë kohë erdhi një zarf nga Orkestra Simfonike Presidenciale e Ankarasë. Unë u bëra solist me ftesën e bërë në Pallatin Presidencial. Dola në skenë përballë burrështetasve si Cevdet Sunay, İsmet İnönü, Alparslan Türkeş”, tha Danış.

Më tej Danış tha se pasi është kthyer nga ushtria ka hapur dyqanin dhe ka vazhduar me rrobaqepësi dhe me muzikë.

“Dilja në 5-6 skena në natë. Me ato që fitoja nga skena, çdo muaj u jepnim bursa studentëve, bashkë me organizatat e bamirësisë. Në atë kohë isha nënkryetar i Korit të Fëmijëve të Shoqatës Kulturore Artistike të Bashkisë Gemlik. Kam pasur shumë studentë. Ndihem krenar kur ende më thirrin mësues. Nuk ndihem i lodhur sepse i dua të dyja profesionet e mia. Nuk e lëshova kurrë as gjilpërën as mikrofonin. Thonë se rrobaqepësi nuk mund të qepë të grisurën e tij, ose nuk mund ta qepë sepse nuk gjen kohë. Kurse mua ende më ftojnë si artist”.

 

 

 

Kategoritë
BotaKulturëLajme