Në historinë ajrore të Evropës u shkrua një kapitull i ri: tri avionë pasagjerësh të kompanisë Turkish Airlines u ngritën njëkohësisht të enjten nga tri pista të ndryshme të Aeroportit të Stambollit, duke shënuar nisjen zyrtare të operacionit të ashtuquajtur të “tri pistave të pavarura simultane” – për herë të parë në Evropë dhe për herë të dytë në botë pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ngjarja ndodhi saktësisht në orën 10:00 sipas kohës lokale, kur avionët u ngritën nga pistat e shënuara si 34L, 35L dhe 36L. Nga kulla e kontrollit, ministri turk i Transportit dhe Infrastrukturës, Abdulkadir Uraloğlu, i dha pilotëve lejen simbolike për ngritje:
“Leja për ngritje nga pista 34 majtas, 35 majtas dhe 36 majtas është dhënë. Ju dëshirojmë fluturim të mbarë. Fillojmë me ngritje dhe ulje të njëkohshme nga tri pista – për herë të parë në botë, përveç SHBA-së. Qoftë me fat.”
Ceremonia u ndoq nga përfaqësues të Turkish Airlines, drejtoria e aeroportit, mysafirë dhe media, ndërsa ngjarja u cilësua si një hap historik për aviacionin turk dhe evropian.
Uraloğlu rikujtoi se Aeroporti i Stambollit, i hapur në vitin 2018, është sot një nga aeroportet më të ngarkuara në Evropë. Vetëm vitin e kaluar ai shërbeu mbi 80 milionë pasagjerë, duke u renditur i dyti në Evropë dhe i shtati në botë mes aeroporteve që përpunojnë mbi 40 milionë pasagjerë në vit.
Sipas të dhënave të Eurocontrol-it, gjatë periudhës 7–13 prill 2025, Aeroporti i Stambollit kishte mesatarisht 1.464 fluturime në ditë, duke u bërë aeroporti më i ngarkuar i Evropës.
Funksionimi simultan i tri pistave është rezultat i përgatitjeve dyvjeçare që përfshinë analiza të detajuara të sigurisë, simulime, trajnime për personelin dhe përshtatjen e sistemeve të kontrollit të trafikut ajror. Në këtë projekt morën pjesë Drejtoria e Përgjithshme e Aeroporteve Shtetërore (DHMI), Drejtoria për Aviacion Civil (SHGM), Turkish Airlines dhe Eurocontrol.
Ministri theksoi se bëhet fjalë për një sistem të teknologjisë së lartë që përdor radarë të avancuar, pajisje precize të navigimit, dhe protokolle të sofistikuara të kontrollit ajror, të mbështetura nga struktura automatike që parashikojnë fluksin e fluturimeve dhe ndihmojnë në shmangien e incidenteve në pista.
“Me këtë hap, ne e forcojmë më tej pozitën e Stambollit si një qendër e aviacionit botëror dhe përshpejtojmë realizimin e vizionit të Turqisë si nyje globale e transportit,” përfundoi Uraloğlu.