Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë 30 karroca me rrota dhe 10 motorë elektrikë për anëtarët e Shoqatës së Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë-Shkodër.
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri, ku një tjetër projektet për këtë kategori është mbështetja me karroca me rrota dhe motorë elektrikë për personat me aftësi të kufizuara, raporton Anadolu.
Në aktivitetin e përfundimit të projektit për mbështetjen me karroca me rrota dhe motorë elektrikë për personat me aftësi të kufizuara në Shkodër ishin të pranishëm ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, koordinatori i TIKA-s Tiranë, Mustafa Ata dhe përfaqësues të institucioneve vendore.
Ambasadori Atay u shpreh gjatë aktivitetit se projekti i TIKA-s iu vjen shumë në ndihmë dhe lehtëson jetën e shumë personave me aftësi të kufizuara.
Atay shtoi se gjithmonë në projekte të tilla të cilat synojnë lehtësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuara mundohen të zgjedhin ato grupe që janë më me prioritet.
“Kjo është një dhuratë që populli turk i bën popullit shqiptar me gjithë zemër dhe shpresojmë shumë që të ndihmojë sadopak. Kjo është një shenjë tjetër e miqësisë tonë të vazhdueshme që rrjedh ndër shekuj, që i ka rrënjët shumë kohë përpara, midis popullit shqiptar dhe popullit turk. Duam të shprehim vendosmërinë që kemi që edhe në të ardhmen t’u bëhemi mbështetje të gjithë vëllezërve tanë që kanë nevojë për ne”, tha Atay
TIKA ka shpërndarë 30 karroca me rrota dhe 10 motorë elektrikë për anëtarët e Shoqatës së Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë-Shkodër.
Edhe më parë, TIKA ka realizuar projekte për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri.