Turqia: Vendimi i Rusisë për të shpallur referendume në Ukrainë tregon “seriozitetin e situatës”

Kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se ka nevojë për një qasje më proaktive ndaj diplomacisë dhe ndërmjetësimit

NEW YORK (AA) – Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se vendimi i Rusisë për të shpallur referendume tregon “seriozitetin e situatës” në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Vendimi i fundit rus për mobilizimin e pjesshëm dhe shpallja e referendumeve të aneksimit në Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia tregojnë seriozitetin e situatës”, tha Çavuşoğlu teksa bashkëkryesonte Takimin e 12-të Ministror të Grupeve të Miqve të Ndërmjetësimit të OKB-së në margjinat e Sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

Kryediplomati turk tha se ka nevojë për një qasje më proaktive ndaj diplomacisë dhe ndërmjetësimit.

“Kjo është arsyeja pse ne zgjodhëm ‘Shmangien e krizave humanitare përmes ndërmjetësimit’ si temë e takimit tonë sot”, tha ai në fjalën hyrëse, duke shtuar: “Kjo është ajo që ne përpiqemi të bëjmë përmes angazhimit tonë me Ukrainën dhe Rusinë”.

Çavuşoğlu paralajmëroi se sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më e vështirë është arritja e një zgjidhjeje “të drejtë dhe të pranueshme reciprokisht”.

Ai theksoi se dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugëdalje nga konflikti shtatëmujor.

Çavuşoğlu gjithashtu tha se autoritetet turke fillimisht janë kritikuar nga “disa partnerë” për përpjekjet e tyre diplomatike midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Por tani shumica janë dakord se vazhdimi i luftës do të shkaktojë më shumë dëm për të gjithë, dhe mbi të gjitha për ukrainasit”, tha ai, duke shtuar se ndërmjetësimi mund të mbrojë ende jetët, kur dialogu politik dhe zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve janë të vështira.

Ai përmendi marrëveshjen e drithit të arritur në Istanbul si një shembull ndërmjetësimi diplomatik, duke thënë se teksa miliona njerëz të ndikuar nga kriza kanë qenë nën presion shtesë për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve, marrëveshja shmangi presionin shtesë financiar.

“Qasjet novatore, si kjo, në zgjidhjen e konflikteve dhe ndërmjetësimin, mund të përdoren për të lehtësuar shqetësimet e tjera globale”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme