Turqia zhvillon strategjinë e Inteligjencës Artificiale

“Inteligjenca Artificiale do të krijojë vende pune më kreative, të bazuara në njohuri”, deklaroi ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, duke folur për Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale.

Turqia zbuloi udhërrëfyesin kombëtar për fushën e Inteligjencës Artificiale me një ceremoni në provincën veriperëndimore të vendit, Kocaeli, raporton Anadolu Agency (AA).

Inteligjenca Artificiale vlerësohet të kontribuojë midis 13 deri 15 trilionë dollarë në ekonominë globale deri në vitin 2030, së bashku me 13-14 për qind të rritjes globale, tha ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank, në fjalimin e tij në ceremoninë e prezantimit të Strategjisë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale.

Ai tha se duke pasur parasysh se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) ka përshpejtuar përpjekjet e transformimit digjital në nivel global, niveli i tregut të këtyre teknologjive arriti në 50 miliardë dollarë në vitin 2020 dhe pritet të dyfishohet brenda pesë viteve.

Varank nënvizoi se disa projeksione parashikojnë një rritje të papunësisë për shkak të Inteligjencës Artificiale në pothuajse çdo sektor, ndërsa shumë vende pune më kreative dhe të bazuara në njohuri do të krijohen përmes teknologjive të reja.

“Në vend që t’i rezistojmë transformimit teknologjik, miratimi dhe menaxhimi i saj është mënyra më racionale. Detyra jonë këtu është të sigurojmë realizimin e këtij transformimi në mënyrën më përfituese për shoqërinë tonë”, theksoi ministri turk.

Në kuadër të strategjisë, Turqia synon të rrisë pjesën e Inteligjencës Artificiale në PBB-në e saj në 5 për qind, të krijojë 50.000 vende pune në sektor dhe të bëhet një nga 20 vendet kryesore në këtë fushë.

Kjo do të mbulojë periudhën midis vitit të ardhshëm dhe 2025, duke përcaktuar prioritetet e Turqisë në Inteligjencën Artificiale që përfshijnë kapitalin njerëzor, kërkimin, sipërmarrjen, infrastrukturën dhe cilësinë e të dhënave.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan kishte njoftuar se strategjia ishte përgatitur javën e kaluar në një qarkore të botuar në Gazetën Zyrtare të Turqisë.

“Domosdoshmëri për zhvillim”

Inteligjenca Artificiale, e cila mund të përdoret në shumë fusha, nga arsimi në shëndetësi, nga prodhimi tek problemet klimatike, po transformon rrënjësisht botën, tha Ali Taha Koc, kreu i Zyrës së Transformimit Digjital të Turqisë, në ngjarjen e mbajtur në provincën industriale.

“Inteligjenca Artificiale nuk është një opsion për vendet. Ajo është një domosdoshmëri për zhvillim”, tha ai, duke theksuar se Turqia nuk do të jetë një treg i këtyre teknologjive, por prodhues i tyre.

Në kuadër të prioriteteve të strategjisë, vendi do të mbështesë punësimin e studiuesve të Inteligjencës Artificiale dhe do të rrisë numrin e të diplomuarve në këtë fushë, nënvizoi Koc.

Ai tha se Turqia gjithashtu do të mbështesë sipërmarrësit dhe do të krijojë infrastrukturë teknike dhe ligjore.

Duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në industri, Koc theksoi se Turqia do të jetë aktive në tërheqjen e projekteve ndërkombëtare për Inteligjencën Artificiale.

Kategoritë
BotaLajme