Kompania tajvaneze Gold Apollo njoftoi se pejdxherët që u përdorën në shpërthimet në Liban të martën nuk ishin prodhuar nga kjo kompani, por nga një distributor evropian që ka licencën për përdorimin e markës.
Fotografitë e pejdxherëve të shkatërruar, të analizuara nga Reuters, tregojnë formatin dhe etiketat që ishin në përputhje me pejdxherët e prodhuar nga Gold Apollo.
Themeluesi dhe presidenti i kësaj kompanie, Hsu Ching-Kuang, u tha gazetarëve se kompania e tij kishte nënshkruar një kontratë me një distributor evropian për përdorimin e markës Gold Apollo.
Hsu tha se distributori, të cilin nuk e emëroi, kishte krijuar një lidhje me këtë kompani rreth tre vjet më parë.
Fillimisht, kompania evropiane importonte vetëm produktet e tjera të komunikimit dhe pejdxherët e Gold Apollo-s, por më vonë deklaruan se donin të prodhonin pejdxherin e tyre.
Për këtë arsye, distributori evropian kërkoi të drejtën për të përdorur markën e kompanisë tajvaneze.
Një burim i lartë i sigurisë libaneze i tha Reuters-it se Hezbollahu kishte porositur 5,000 pejdxherë nga Gold Apollo tajvanez.
Luftëtarët e Hezbollahut filluan të përdorin pejdxherët me bindjen se do të mund të shmangnin gjurmimin izraelit të vendndodhjeve të tyre, deklaruan për Reuters këtë vit dy burime të njohura me operacionet e grupit.