U hap Konsullata e Përgjithshme e BiH në Novi Pazar

Në Novi Pazar u hap Konsullata e Përgjithshme e Bosnjë-Hercegovinës, zbulimi i bordit dhe prerja e shiritit nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës Bisera Turkoviq, Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sbrije Nemanja Staroviq dhe kryetari i komunës i Novi Pazarit Nihat Biševac.

Pas ngritjes së flamurit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Turkoviq, Staroviq dhe Bishevac shprehën besimin se kjo përfaqësi diplomatike do të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe afarist mes dy vendeve.

“Sot hapëm përfaqësinë e 57-të diplomatike të Bosnjë-Hercegovinës në botë dhe Konsullata në Novi Pazar paraqet një hap tjetër drejt përmirësimit të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Ne duam të kemi një mik dhe partner në Serbi, me qëllim të përbashkët për të lehtësuar rritjen e lidhjeve familjare dhe biznesore dhe për të kontribuar në përmirësimin e bashkëpunimit në kulturë, arsim dhe shkencë”, tha Turkoviq, transmeton RTV Novi Pazar.

Staroviq theksoi se bashkëpunimi me fqinjët dhe të gjitha vendet e rajonit është veçanërisht i rëndësishëm për Serbinë dhe se konsullata në Novi Pazar është e rëndësishme për përmirësimin e mëtejshëm të të gjitha formave të bashkëpunimit.

Me këtë rast, ai i bëri thirrje Bosnje-Hercegovinës që edhe një herë të konsiderojë anëtarësimin në nismën e Ballkanit të Hapur dhe shprehu shpresën se Sarajeva do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Beogradit për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Bijeljina.

Serbia tashmë ka konsullata në Mostar dhe Banja Luka, si dhe një zyrë konsullore në Trebinjë.

Bishevac vlerësoi se Konsullata e Bosnjës dhe Hercegovinës në Novi Pazar është një konfirmim i përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Ne duam që boshnjakët të jenë një urë bashkëpunimi midis Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës”, tha Bishevac.

Në hapjen e konsullatës së BeH në Novi Pazar morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Beograd, kryetarë të komunave fqinje, komunitete fetare, parti politike dhe biznesmenë të atij rajoni.

Kategoritë
LajmeRajoni