U kapën mbi 10kg kokainë gjatë aksionit të policisë, Sveçla: Të gjithë pa dallim do të sillen para ligjit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksionit të policisë ku u sekuestruan mbi 10 kilogramë kokainë në magjistralen Fushë Kosovë- Prishtinë.

Ai ka përgëzuar policinë për aksionin dhe ka shtuar se të gjithë pa dallim do të sillen para ligjit.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për aksionin e suksesshëm që rezultoi me sekuestrimin e mbi 10 kilogramëve substancë narkotike kokainë në vlerë 450 mijë euro, 1445 eurove, 8970 dinarëve, dy telefonave celularë, 17 kartelave grafike për prodhimin e kriptovalutave, si dhe me arrestimin e të dyshuarit i cili rezulton të jetë i përfshirë në aktivitete te shumta kriminale.

Siç kam theksuar në vazhdimësi, aktivitetet policore në luftimin e krimeve pavarsisht llojit të krimit, por edhe përkatësisë nacionale do të jenë të pandalshme dhe të gjithë pa dallim do të sillen para ligjit”, ka shkruar Sveçla.

Kategoritë
LajmeVendi