U qëllua për vdekje në sy të gruas dhe fëmijës 2 vjeç, detaje nga vrasja e shqiptarit në Londër

Të tjera detaje janë publikuar nga vrasja e producentit shqiptar Flamur Beqiri, 36 vjeç i njohur si Alex, i cili u qëllua për vdekje me breshëri plumbash në derën e shtëpisë më 24 dhjetor të 2019 në Londër.

Sipas gjykatës, viktima ishte “i përfshirë në krim të organizuar”, shkruan BBC.

Prokurorët pretendojnë se vrasja e Beqirit ishte pjesë e përshkallëzimit të dhunës midis dy rrjeteve rivale nga Suedia.

Bashkëshortja e tij, Debora Krasniqi, ka mohuar se ai ishte pjesë e grupeve kriminale gjatë procesit të gjyqit që po vazhdon.

Inspektorja e detektivëve të policisë suedeze Kajsa Delmar-Wigstrom tha të martën në gjykatën e Southwark Crown se ai ishte pjesë e një rrjeti të krimit të organizuar i përfshirë në “rivalitet të dhunshëm” me një grup tjetër në vendin skandinav.

Ajo tha se shtetasi suedez/shqiptar dyshohej për “tregti ndërkombëtare të drogës” që nga viti 2007 dhe ishte arrestuar në “disa raste” në Evropë.

Gruaja e Beqirit, Debora Krasniqi, më herët ka mohuar se burri i saj ishte kriminel, duke u thënë para juristëve se ai ishte i përfshirë në biznesin e muzikës.

Flamur Beqiri njihej si një producent muzikor, por ishte proceduar në vitin 2008 për futjen e një sasie kokaine me vlerë 2 milionë dollarë në Skandinavi. Shqiptari i njohur gjithashtu si ‘Alex’ ishte larguar nga Suedia 5 vite më parë pasi ishte kërcënuar me jetë. Ai u zhvendos në Britani dhe pas martesës bleu një shtëpi në një nga zonat më të mira të Londrës, shkruan BBC.

Kategoritë
BotaLajme