Banorët e qytezës Surrey në Angli u detyruan të evakuojnë shtëpitë e tyre nga frika e një shpërthimi, pasi një gropë e madhe dhe në zgjerim u shfaq në rrugën kryesore.
Të nesërmen, gropa u zgjerua duke arritur një diametër prej të paktën 20 metrash, çka shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë.
Këshilli i qarkut Surrey shpalli situatë emergjente dhe u bëri thirrje banorëve që të shmangin zonën derisa të përfundojnë punimet e riparimit.
Policia evakuoi disa prona dhe vendosi një perimetër sigurie prej 100 metrash.
Në orët e para të së martës, policia paralajmëroi qytetarët të largohen sa më shpejt nga frika se kabllot e ekspozuara mund të shkaktonin një shpërthim.
Banorët e përshkruan skenën e evakuimit si “të frikshme”, ndërsa një person që ishte shpërngulur në shtëpinë e re më pak se një javë më parë, tregoi se ishte detyruar të flinte në makinë.
“Nuk di çfarë do të ndodhë. Askush nuk më jep informacion. Më thanë se mund të duhen deri në një javë për t’u rikthyer brenda. Mendoj se as vetë nuk e dinë gjendjen e gazit dhe energjisë elektrike, kështu që ekziston rreziku i një shpërthimi, zjarri apo kolapsi,” tha Josh Neame për BBC.
Kompania SES Water njoftoi se inxhinierët e saj po punojnë për riparimin e tubacionit kryesor të ujit të dëmtuar nga gropa dhe po u shpërndajnë banorëve shishe me ujë të pijshëm.
Zëdhënësi i autoritetit rrugor Surrey Highways këshilloi qytetarët të shmangin zonën deri në përfundimin e ndërhyrjeve.