Trajneri i Kombëtares së Holandës, Ronald Koeman, i ka thënë sulmuesit Steven Bergwijn se karriera e tij ndërkombëtare ka përfunduar pasi u transferua në Arabinë Saudite.
Të hënën, Ajaxi konfirmoi largimin e sulmuesit 26-vjeçar Bergwijn te skuadra e Ligës Prosaudite, Al Ittihad për një shifër rreth 21 milionë euro.
Bergwijn ishte pjesë e skuadrës holandeze që arriti në gjysmëfinale të Euron 2024, por menaxheri Koeman e ka lënë sulmuesin jashtë skuadrës së tij për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.
Tani, Koeman i ka thënë brutalisht Bergwijnit se karriera e tij ndërkombëtare ka përfunduar pasi u transferua në Arabinë Saudite në moshë kaq të re.
“Steven Bergwijn shkon në Arabinë Saudite në moshën 26-vjeçare. Është e qartë se kjo nuk ka të bëjë fare me ambicie sportive. Libri i tij me Kombëtaren holandeze është mbyllur. Ai ndoshta e di se çfarë do të kisha thënë për këtë”, ka thënë fillimisht Koeman për mediat.
“Nëse je 26 vjeç, ambicia më e rëndësishme duhet të jetë ajo sportive, jo ajo financiare”.
“Ai mund të kishte qëndruar në Ajax , apo jo? Jam shumë i sigurt se Ajax po paguan mirë gjithashtu. Në moshën e tij, unë nuk do ta bëja. Mos e merrni atë vendim”, përfundoi trajneri i Holandës.
Sezonin e kaluar, Bergwijn shënoi 13 gola dhe dha pesë asistime në 31 paraqitje për skuadrën Eredivisie, ndërsa ka bërë 35 paraqitje për kombëtaren, duke shënuar tetë gola.