Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, testoi snajperin më modern: Natyrisht, goditi në qendër të shenjës

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, testoi një pushkë të re snajperi në një poligon ushtarak në Korenë e Veriut. Kim vizitoi njësitë speciale të ushtrisë koreano-veriore dhe verifikoi përgatitjen e tyre për “forcimin e aftësive për veprim në kushte lufte dhe sigurimin e fitores”.

Sipas agjencisë së lajmeve koreano-veriore KCNA, Kim Jong-un ndoqi një stërvitje taktike dhe një garë në qitje me armë të kalibrit të lehtë, të cilën e zhvilluan ushtarë të ndryshëm nga njësitë e operacioneve speciale, në përputhje me programin e trajnimit.

“Luftëtarët trima, të cilët janë rritur në grupin më të fuqishëm luftarak dhe bërthamën e avangardës së forcave të armatosura të Koresë së Veriut, nën udhëheqjen e jashtëzakonshme të komandantit të madh dhe të ndritur, treguan forcë dhe trimëri të pakrahasueshme dhe në të gjitha ushtrimet demonstruan në mënyrë të plotë aftësi të mëdha për veprim të pavarur, si dhe gatishmëri luftarake dhe aftësi të lartë në qitje të ushtrisë sonë të pathyeshme”, thuhet në raportin e KCNA-së.

Sipas agjencisë dhe fotografive të publikuara, udhëheqësi vetë realizoi një qitje provuese me pushkën e re snajper, e cila pritet të futet së shpejti në përdorim nga njësitë e operacioneve speciale.

“Ai u njoh me rezultatet dhe shprehu kënaqësi të madhe për aftësitë dhe fuqinë e pushkës së prodhuar nga industria vendase”, njofton agjencia.

Agjencia publikoi fotografi që tregojnë Kim-in gjatë të shtënave dhe më pas gjatë inspektimit të shenjës, ku goditja kishte përfunduar saktësisht në qendër. Me këtë synohet të përforcohet përshtypja e suksesit të udhëheqësit në përdorimin e pushkës snajper.

Kim gjithashtu shprehu pritshmëri dhe bindje se të gjitha njësitë e forcave për operacione speciale do të mbeten “plotësisht të përkushtuara ndaj misionit të tyre për mbrojtjen e shtetit, revolucionit dhe popullit, dhe se me armët e tyre të pakrahasueshme do të mbrojnë me vendosmëri përparimin fitimtar të shtetit”.

Kategoritë
BotaLajme