UEFA gjobiti BeH-në dhe Kroacinë për trazirat e tifozëve në ndeshjet e Ligës së Kombeve

Federata e BeH-së, për shkak të trazirave në Rumani duhet paguaj 10 mijë euro gjobë ndërsa Federata Kroate e Futbollit, për shkak të trazirave në Austri duhet të paguajë 43 mijë euro gjobë

Organi i kontrollit, etikës dhe disiplinës i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) vendosi dënime ndaj Federatave të Futbollit për shkeljet në ndeshjet e Ligës së Kombeve ndërmjet Rumanisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe midis Austrisë dhe Kroacisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndeshja Rumani-Bosnjë e Hercegovinë u luajt më 26 shtator 2022 ndërkaq organi kompetent i UEFA-s ka caktuar gjoba për shkak të sjelljes së pahijshme të tifozëve të cilët hodhën sende, ndezën fishekzjarrë, brohoritën mesazhe provokuese dhe fyese dhe shkaktuan dëme materiale në tribuna.

UEFA gjobiti Federatën e Futbollit të Rumanisë më 30 mijë euro dhe urdhëroi mbylljen e pjesshme të tribunave për të paktën 2.000 vende, gjatë ndeshjes së radhës në shtëpi të kompeticionit të UEFA-s. Mbyllja e pjesshme në fjalë e stadiumit pezullohet për një periudhë dyvjeçare me kusht, duke filluar nga dita e marrjes së vendimit.

Federata e Futbollit të Bosnjë e Hercegovinës gjithashtu u urdhërua të mbyllë pjesërisht tribunat për të paktën 2.000 vende në ndeshjen e radhës në shtëpi të UEFA-s, po ashtu me një dënim me kusht prej dy vitesh.

Për shkak të sjelljes raciste të tifozëve, hedhjes së sendeve dhe dëmtimit të stadiumit, UEFA gjobiti Federatën e BeH-së me 10 mijë euro dhe ndaloi shitjen e biletave për tifozët vizitorë për ndeshjen e radhës të kompeticionit të UEFA-s.

Federata e BeH-së u urdhërua të kontaktojë Federatën e Futbollit të Rumanisë brenda 30 ditëve për të paguar dëmin e shkaktuar nga tifozët e BeH-së, të cilët thyen 39 karrige.

Ndeshja e Ligës së Kombeve mes Austrisë dhe Kroacisë u luajt më 25 shtator dhe u karakterizua nga trazira të tifozëve dhe ofendime raciste, për të cilat UEFA vendosi sot gjoba.

Federata Kroate e Futbollit u gjobit me 20 mijë euro dhe mbyllje të pjesshme të stadiumit gjatë ndeshjes së radhës në shtëpi të kompeticionit të UEFA-s. Sektori i mbyllur i tribunave duhet të ketë të paktën 2.000 vende.

Federata Kroate u gjobit gjithashtu me 20.625 euro për shkak të hedhjes së objekteve nga tifozët në fushë. Për shkak të fishekzjarrëve në tribuna, Federata Kroate do të paguajë një gjobë shtesë prej 2.500 euro.

Kategoritë
LajmeSport