UEFA i jep 3 pikë Rumanisë në ndeshjen e ndërprerë me Kosovën

Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës, e vlefshme për fazën grupore të Ligës së Kombeve, u ndërpre pak minuta para fundit teksa rezultati ishte 0-0

Ekipi kombëtar i Rumanisë në futboll ka marrë fitore me rezultat 3-0 në tavolinë për ndeshjen e ndërprerë me Kombëtaren e Kosovës më 15 nëntor, sipas vendimit të marrë nga UEFA, transmeton Anadolu.

Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës, e vlefshme për fazën grupore të Ligës së Kombeve, u ndërpre pak minuta para fundit teksa rezultati ishte 0-0.

Pasi lojtarët e Kosovës dolën nga fusha e gjelbër në Bukuresht, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) bëri të ditur se ndeshja u ndërpre për shkak “të thirrjeve të vazhdueshme raciste dhe anti Kosovës nga tifozët rumunë, të cilët përsëritën sjellje raciste dhe provokuese që dëmtojnë rëndë frymën e ‘fair play’-it, vlerat e futbollit dhe janë në kundërshtim të plotë me rregulloret dhe parimet e UEFA-së”.

Megjithëse UEFA ia dha fitoren Rumanisë, kjo nuk e ndryshon renditjen tabelare dhe ajo mbetet në vendin e parë me 18 pikë, ndërsa Kosova ka 12 pikë dhe do ta kërkojë kalimin në Ligën B përmes fazës së “play-off”-it.

Pjesë e këtij vendimi është edhe dënimi për federatën rumune të futbollit me 128 mijë euro për shkelje të ndryshme dhe një ndeshje pa shikues.

Ndërkohë, edhe FFK-ja është dënuar me 6 mijë euro për sjellje të pahijshme të skuadrës.

Kategoritë
LajmeSport