UEFA investon madje një miliardë euro në zhvillimin e futbollit të femrave

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka prezantuar strategjinë e re të quajtur “Unstoppable” (E Pandezshme), përmes së cilës do të investojë një miliardë euro në zhvillimin e futbollit të femrave gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Qëllimi është që deri në vitin 2030, në Evropë të ketë 5,000 lojtare profesioniste dhe gjashtë liga profesionale.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, tha se strategjia e re gjashtëvjeçare do të vendosë themelet për shfrytëzimin e plotë të potencialit të futbollit të femrave.

“Ndërsa hyjmë në këtë epokë të re dhe emocionuese, duhet të vazhdojmë me të njëjtën pasion që na ka sjellë deri këtu. Angazhimi ynë për këtë qëllim mbetet po aq i fortë sa gjithmonë. Misioni ynë është i thjeshtë, të ndihmojmë futbollin e femrave të zërë një vend të rëndësishëm në Evropë,” tha Ceferin.

Gjithashtu, u prononcua edhe drejtoresha ekzekutive e UEFA-s për futbollin e femrave, Nadine Kessler.

“Futbolli evropian i femrave nuk ka qenë kurrë në një pozicion më të mirë. Ekipet kombëtare dhe klubet po përparojnë jashtëzakonisht falë investimeve të mëdha, një sistemi të përmirësuar të garave dhe shumë mundësive të reja për të luajtur profesionalisht. Futbolli është bërë sport për masat, duke tërhequr një bazë fansash dhe partnerë gjithnjë në rritje dhe të larmishme që padyshim kontribuojnë në rritjen e tij,” deklaroi ajo.

Fituesja e “Topit të Artë” në konkurrencën e femrave, Aitana Bonmati, si dhe lojtare të tjera, tashmë e kanë mbështetur “Unstoppable,” ndërsa në promovim janë përfshirë edhe përfaqësueset tona Milena Nikolić dhe Emina Ekić.

Kategoritë
Sport