Ashtu si pritej, Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar rëndë nga UEFA për shkeljet e bëra në ndeshjen e 12 tetorit ndaj Zvicrës.
Gjatë asaj ndeshjeje kishte thirrje të vazhdueshme anti-Kosovë nga tifozët serbë. Dhe UEFA të premten mori vendimet lidhur me shkeljet e bëra nga huliganët serbë.
Serbia e Zvicra ishin takuar më 12 tetor në Leskovc. Serbët e kanë fituar 2:0 atë ndeshje të Ligës së Kombeve.
Në fushë te Zvicra ishte Granit Xhaka, që është fishkëllyer sa herë që ka pasur kontakt me topin. Fishkëllima kishte edhe me rastin e intonimit të himnit të Zvicrës.
Në fakt federata serbe është përballur me tri akuza: transmetimi i mesazhit që nuk është i përshtatshëm për ngjarje sportive; sjellje raciste dhe sjellje diskriminuese, trazira gjatë himneve kombëtare.
Për të tri akuzat është shpallur fajtore.
Për sjellje diskriminuese të tifozëve të saj, Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar me 25 mijë euro dhe me mbyllje të pjesërishme të stadiumit për ndeshjen e ardhshme. Por pjesa e dytë e dënimit, për mbyllje të 4000 vendeve në stadium, është me kusht për dy vjet.
Për shkak se u fishkëllye himni i Zvicrës nga tifozët serbe, Federata e Futbollit e Serbisë është gjobitur me 10 mijë euro.
17 mijë e 500 euro, serbët do t’i paguajnë në UEFA për transmetim të mesazhit provokues, të papërshtatshëm për ngjarje sportive. Këtu përfshihen thirrjet e vazhdueshme anti-Kosovë.