Ukraina kërkon t’i rezervohet një vend në BE: Alternativat ndaj anëtarësimit, të papranueshme

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba, deklaroi të enjten se Kievi nuk do të pranojë asnjë alternativë ndaj statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin pas takimit të tij me ligjvënësit gjermanë, Dmytro Kuleba tha se është ende herët për të bërë një vlerësim përfundimtar lidhur me propozimin e Presidentit Emmanuel Macron të Francës për Komunitetin Politik Evropian, pasi shumë detaje rreth nismës ende nuk dihen.

“Për aq sa ne e kuptojmë propozimin francez, ai nuk bie ndesh me dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE për Ukrainën”, tha ai duke bërë të qartë gjithashtu se alternativat ndaj anëtarësimit do të ishin të papranueshme për Kievin.

“Nuk kam përshtypjen se kjo nismë e përjashton Ukrainën nga lista e mundshme e anëtarëve. Por nëse është kështu, kjo është diskriminuese, e padrejtë dhe bie ndesh me deklaratat publike që vijnë nga Franca dhe vende të tjera”, theksoi Kuleba.

Shefi i diplomacisë ukrainase vuri në pah se Kievi pret një përgjigje pozitive nga Brukseli lidhur me aplikimin e vendit të tij për anëtarësim në Union.

“Ne besojmë fuqimisht se do të jetë në interesin më të mirë të Evropës që t’i japë Ukrainës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në fund të qershorit, në samitin e Këshillit Evropian”, shtoi ai.

Kurse në një prononcim për televizionin gjerman “ARD”, ministri Kuleba kërkoi që Ukrainës t’i rezervohet një vend në BE duke premtuar se Kievi do të vazhdojë të punojë fort për statusin e vendit kandidat.

“Unë dëgjoj shpesh të thuhet se «Ukraina i përket Evropës dhe është pjesë e familjes evropiane». Dhe, për hir të së vërtetës, ne s’po flasim për anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës në BE, por është shumë e rëndësishme për ne që ky vend të jetë i rezervuar për Ukrainën”, u shpreh ai.

Kuleba nga njëra anë shprehu kënaqësinë e tij për ndryshimin e qëndrimit të Gjermanisë në lidhje me furnizimin me armë të Ukrainës dhe nga ana tjetër reagoi ndaj moslejimit të ekspozimit të flamurit ukrainas në aktivitetet përkujtimore të mbajtura në Berlin më 8 dhe 9 maj, me rastin e 77-vjetorit të përfundimit të Luftës II Botërore në Evropë.

I ftuar në Takimin e Ministrave të Jashtëm të G7-s, i cili fillon sot nën mikpritjen e kryediplomates gjermane, Annalena Baerbock, në landin Shlesvig-Holshtajn, Dmytro Kuleba potencoi se në këtë mbledhje duhet të trajtohen sanksionet kundër Rusisë, e cila nisi një luftë kundër vendit të tij më 24 shkurt (2022), si dhe lufta kundër mungesës globale të ushqimit.

Ministri ukrainas kritikoi gjithashtu tregtinë e Rusisë me drithërat dhe produktet ushqimore që ajo ka konfiskuar në jug të vendit të tij.

  • Turqia bën thirrje në OKB që të mbahen hapur kanalet e dialogut Rusi-Ukrainë

Turqia theksoi domosdoshmërinë e mbajtjes hapur të kanaleve të dialogut ndërmjet Moskës dhe Kievit për një zgjidhje paqësore, në seancën e posaçme të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën.

“Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës duke përfshirë edhe Krimenë”, u tha gjatë seancës në një deklaratë nga Përfaqësia e Përhershme e Turqisë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.

Duke theksuar se Turqia hedh poshtë sulmet ushtarake kundër Ukrainës, të cilat përbëjnë një shkelje të Kartës së OKB-së, deklarata bën këtë vlerësim: “Ne jemi të shqetësuar për efektet afatgjata të konflikteve në Ukrainë dhe në botë. Komuniteti ndërkombëtar nuk është në gjendje të përballojë rreziqet e mundshme të sfidave të tilla rajonale dhe globale.”

Pasi vë në pah se pamjet e situatës humanitare në kryeqytetin Kiev dhe në qytetet Buça e Mariupol të Ukrainës janë tmerruese, deklarata vijon me këto fjalë: “Ne ndajmë pikëllimin e popullit ukrainas. Sulmet ndaj civilëve të pafajshëm dhe infrastrukturës civile janë absolutisht të papranueshme.”

Më tej, Përfaqësia e Përhershme e Turqisë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë nënvizon se ata që kanë vënë në shënjestër civilët, duhet të mbajnë përgjegjësi në kuadër të një hetimi të pavarur.

“Ne besojmë se kanalet e dialogut duhet të mbahen të hapura për të përmirësuar situatën humanitare dhe për të arritur një zgjidhje paqësore. Turqia do t’i vazhdojë përpjekjet e saj për të siguruar paqen”, thuhet në fund të deklaratës në fjalë.

Ushtria ukrainase, e cila çliroi nga forcat ruse më 1 prill qytetin e Buçës, shumë pranë Kievit, u përball me një qytet plot kufoma dhe me ndërtesa të shkatërruara. Në vendbanimet e çliruara pranë Kievit u gjetën trupat e pajetë të 410 civilëve.

Ushtria ruse filloi një ofensivë në Ukrainë më 24 shkurt (2022).

Të paktën 3.500 civilë janë vrarë dhe 3.760 të tjerë janë plagosur nga ushtria ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, me shifrat reale që dyshohet se mund të jenë shumë më e larta.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) bën me dije se rreth 6 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe më shumë se 7,7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Kategoritë
BotaLajme