Ukraina merr këstin e parë të ndihmës amerikane të krijuar nga fitimet e aseteve të ngrira ruse

Shmyhal tha në një deklaratë në X se Ukraina ka marrë 1 miliard dollarë nga SHBA-ja, që janë pjesë e financimit të propozuar prej 20 miliardë dollarësh të Washingtonit për Kievin

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal tha sot se Kievi ka marrë këstin e parë të ndihmës nga SHBA-ja që erdhi nga fitimet e aseteve të ngrira ruse, transmeton Anadolu.

Shmyhal tha në një deklaratë në X se Ukraina ka marrë 1 miliard dollarë nga SHBA-ja, që janë pjesë e financimit të propozuar prej 20 miliardë dollarësh të Washingtonit për vendin e shkatërruar nga lufta, si pjesë e iniciativës së huasë së Grupit të Shtatëve (G7).

“Ne u jemi mirënjohës partnerëve amerikanë dhe Bankës Botërore këtë hap të rëndësishëm drejt drejtësisë. Ne presim që të gjitha asetet sovrane ruse të konfiskohen dhe të përdoren për rindërtimin e Ukrainës”, shtoi Shmyhal.

Gjatë një samiti të mbajtur në Itali në qershor, liderët e G7-tës ranë dakord të nisin iniciativën për përshpejtimin e të ardhurave të jashtëzakonshme për Ukrainën për të vënë në dispozicion rreth 50 miliardë dollarë fonde shtesë për Kievin deri në fund të vitit.

Sipas një deklarate të liderëve të G7-tës në fund të tetorit, kreditë e dhëna në bazë të iniciativës do të shërbehen dhe do të paguhen nga fitimet e ardhshme nga asetet e ngrira ruse dhe do të disbursohen përmes kanaleve të shumta për të “mbështetur ndihmën buxhetore, ushtarake dhe rindërtuese të Ukrainës”.

Më 10 dhjetor, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se Washingtoni do të jepte 20 miliardë dollarë si pjesë e nismës.

Kategoritë
BotaLajme