Ukraina pret nga Perëndimi raketa për sistemin HIMARS

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, tha që ka besim se partnerët perëndimorë do të sigurojnë për Ukrainën raketa për sistemet HIMARS

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, theksoi se nga Perëndimi presin raketa për Sistemet Raketore të Artilerisë me Performancë të Lartë (HIMARS), rrezet e të cilave arrijnë deri në 300 kilometra, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, Reznikov tha që ka besim se partnerët perëndimorë do të sigurojnë për Ukrainën raketa për sistemet HIMARS.

“Për mendimin tim, kjo është një lëvizje hap pas hapi. Ne po dëshmojmë se mund t’i përdorim këto armë në mënyrë të shkëlqyer dhe se mund të godasim objektivat në mënyrë të saktë dhe mund të marrim më shumë armë me distancë më të gjatë” njoftoi Reznikov.

Reznikov vlerësoi HIMARS për goditjen e objektivave dhe për rrezen e gjatë që kanë dhe se tha se këto armë do të ndihmojnë në pakësimin e humbjeve të forcave të armatosura të Ukrainës në Donbas.

Ai bëri të ditur se forcat e Ukrainës kanë nevojë për më shumë sisteme raketore dhe artilerie për çdo përpjekje për kundërsulm.

“Në fund të këtij viti në fushën e betejës do të ketë ndryshime të mëdha në favor të Ukrainës. Shpresoj që këtë vit do të ndërmarrim kundërsulme dhe që kjo të jetë e suksesshme” shtoi Reznikov.

Sistemet Raketore të Artilerisë me Performancë të Lartë (HIMARS) të dërguara nga SHBA-ja, mbërritën në Ukrainë muajin e kaluar.

Sistemi raketor i drejtuar me rreze të mesme HIMARS thuhet se mund të dobësojë në masë të konsiderueshme ushtrinë ruse dhe mund të ngadalësojë përparimin e saj në luftë.

Kategoritë
BotaLajme