Ukraina: Rusia kreu 50 sulme ajrore dhe 11 raketore brenda një dite

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se Rusia në ditën e fundit ka kryer 50 sulme ajrore dhe 11 sulme raketore ndaj Ukrainës

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se Rusia në ditën e fundit ka kryer 50 sulme ajrore dhe 11 sulme raketore ndaj Ukrainës, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm thuhet se Rusia vazhdon sulmet e saj.

“Ushtria ruse në ditën e fundit ka kryer 50 sulme ajrore dhe 11 sulme raketore. Rusia ka kryer 75 sulme me sistemet multiraketahedhëse ndaj pozicioneve të ushtarëve tanë dhe infrastrukturës së vendbanimeve civile dhe si pasojë kanë humbur jetën civilë”, thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se forcat ruse kanë intensifikuar sulmet e tyre në drejtim të Liman, Bakhmut, Avdiivka, Marinka dhe Shakhtarsk.

Sulmet ruse në drejtim të Kupyansk dhe Liman dështuan, pretendohet në deklaratën ku theksohet se “Armiku vazhdon sulmet e tij në drejtim të qytetit Bakhmut”.

Po ashtu në deklaratë pretendohet se kanë dështuar sulmet që ushtria ruse ka ndërmarrë drejt Avdiivka, Marinka dhe Shakhtarsk.

Forcat ajrore të Ukrainës në ditën e fundit kanë goditur 17 herë rajonet ku janë intensifikuar ushtarët rusë. “Ushtarët tanë kanë rrëzuar një helikopter Mi-24 dhe 6 mjete ajrore pa pilot (dronë) të armikut”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Vihet në dukje se njësitë raketore dhe të artilerisë ukrainase kanë shkatërruar 2 pika komandimi të Rusisë, 2 sisteme raketore kundërajrore, 1 njësi për bashkimin e municioneve dhe 2 stacione të luftës elektronike.

Kategoritë
BotaLajme