Ukraina zotohet për hakmarrje pas sulmit rus që la mbi 50 të vrarë

Në qytetin Poltava të Ukrainës iu dha lamtumira e fundit më shumë se 50 të vrarëve si pasojë e sulmeve ajrore ruse më 3 shtator. Nga sulmi në një objekt të stërvitjeje ushtarake u plagosën më shumë se 300 vetë.

Ndërsa familjarë dhe banorë të qytetit ishin në zi, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenksyy u zotua se do të rrisë prodhimin e armëve në vend duke ndërtuar fabrika nëntokësore për t’u bërë ballë sulmeve ruse me raketa dhe dronë. Ai përsëriti thirrjet për heqjen e kufizimeve që lidhen me përdorimin e armëve perëndimore në luftën me Rusinë, duke vënë në dukje se Ukraina po zhvillon raketat e veta për të ushtruar trysni ndaj Moskës.

Gjatë javëve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë kundër qyteteve ukrainase, duke patur si objektiv infrastrukturën energjetike në të gjithë vendin dhe shkaktuar sulme vdekjeprurëse në zonat e banuara.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se gjatë natës Rusia lëshoi 67 dronë drejt Ukrainës dhe 61 prej tyre u rrëzuan. Mbetejet e një prej dronëve u panë në një rrugë jashtë parlamentit të Ukrainës.

Ndërkohë, një sulm me artileri nga Rusia në qytetin në lindje të Ukrainës Kostiantynivka, në rajonin e Doneskut la të vrarë tre persona dhe plagosi tre të tjerë, tha guvernatori Vadym Filashkin.

Kievi vazhdoi sulmet kundër Rusisë. Të shtunën, guvernatori i rajonit rus Voronezh tha se një sulm me dron kishte shkaktuar një zjarr të madh dhe ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme në disa zona dhe banorë të disa njësive ishin evakuuar.

Kategoritë
BotaLajme