Ukrainasit në Irpin fillojnë të rindërtojnë shtëpitë pas tërheqjes ruse

Ndërsa forcat ruse vazhdojnë të përparojnë në pjesën lindore të Ukrainës, ato janë tërhequr nga zona të tjera, ku banorët ukrainas po kthehen në atë çfarë ka mbetur nga shtëpitë e tyre.

Shtëpia e 82-vjeçares Oleksandra Yahodyna është shkatërruar pas bombardimeve ruse të qytetit të saj të lindjes, Irpin

Ajo dhe vajza e saj Veera Malakhina jetuan në atë shtëpi për më shumë se 20 vjet. Veera kujton se të dyja u larguan prej andej me ndihmën e ushtrisë ukrainase.

“U kërkuam që të na ndihmonin. Bombardimet ishin të tmerrshme. Ushtarët na ndihmuan të kalonim lumin përmes një ure lundruese”, shpjegon Veera.

Veera Malakhina është 65 vjeç. Ajo ka qenë piktore që në moshë të re. Dhjetë vjet më parë, ajo kishte para të mjaftueshme për të riparuar këtë shtëpi të vjetër.

Tani ajo dhe nëna e saj po gërmojnë çdo gjë që mund të shpëtojnë.

“Njerëzit më ndihmuan të nxirrja frigoriferin. Funksionon, është dëmtuar, por e futa në prizë dhe funksionon. Unë gatuaj në shtëpinë e fqinjit. Më dhanë çelësat dhe më lanë të bëja dush”.

Olexandra kërkoi të nxirrte divanin e saj nga rrënojat.

“U kërkova që të më ndihmonin të nxirrja nga rrënojat divanin tim, që të paktën të mund të ulem në diell”.

Tani, ajo kalon pjesën më të madhe të ditës këtu. Kur bie shi, hyn në një hambar të vogël që i mbijetoi bombardimeve.

Natën, nënë e bijë ndajnë një dyshek në dysheme.

Por Veera Malakhina thotë se ato janë më mirë se të tjerët. Disa nga fqinjët e saj nuk kanë ku të strehohen. Artileria ruse shkatërroi gjithçka.

“Ne na ka mbetur të paktën diçka. Nga shtëpia e fqinjës sonë Sura, që është e para në rrugën tonë, nuk ka mbetur asgjë“.

Herë pas here, Veera përpiqet të hyjë në shtëpinë e shkatërruar për të kërkuar më shumë sende. Ajo thotë se më e çmuara është një foto e dasmës.

“Ky është bashkëshorti që më ka vdekur, këtu jam unë dhe shoqet e klasës”.

Olaksandra është e kënaqur që lulet e saj kanë mbijetuar.

“Kur kam jetuar në fshat mbillja shumë lule. Miqtë e mi më pyesnin si kujdesesha për to dhe gjithmonë u përgjigjesha – është e lehtë” .

Kohët e fundit, Veera mori një sasi të vogël ndihme monetare nga shteti, e barabartë me rreth 65 dollarë amerikanë. Ajo nuk ka para të mjaftueshme për të filluar rindërtimin për momentin.

Para fillimit të luftës, Veera thotë se nuk ishte në gjendje të punonte dhe kishte planifikuar t’i nënshtrohej një operacioni kundër kancerit. Por gjithçka është në pritje për momentin.

Kategoritë
BotaLajme