Ukrainë, 3 civilë humbin jetën në sulmet e forcave ruse në qytetin Nikopol

Alexander Sayuk, kryetari i bashkisë së Nikopolit, në një deklaratë për gazetarin e AA-së informoi se që nga ora 01:00 qyteti filloi të goditet me multi-raketahedhëse

Njoftohet se tre civilë kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur në sulmet e kryera nga forcat ruse në qytetin Nikopol në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).

Alexander Sayuk, kryetari i bashkisë së Nikopolit, në një deklaratë për gazetarin e AA-së informoi se që nga ora 01:00 qyteti filloi të goditet me multi-raketahedhëse.

Sayuk tha se ndaj zonës së Nikopolit, përfshirë edhe qendrën e qytetit, janë lëshuar gjithsej 120 raketa dhe se si pasojë e sulmeve janë dëmtuar banesat.

“Si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën tre persona dhe janë plagosur edhe nëntë të tjerë por këto shifra mund të ndryshojnë. Në mesin e të plagosurve ndodhet një vajzë 13-vjeçare”, informoi Sayuk.

Ai tërhoqi vëmendjen se sulmet kundër Nikopolit kanë filluar kryesisht në muajin e fundit dhe shtoi se “Qyteti goditet pothuajse çdo ditë. Nuk e di pse ndodh kështu”.

– Sulmet më të fuqishme ndodhën sot

Në sulmet e ndërmarra nga forcat ruse që nga korriku e deri më tani në qytet kanë humbur jetën tetë civilë, ndërsa janë plagosur rreth 30 të tjerë, deklaroi Sayuk, i cili tha: “Në qytet ka civilë. Sulmet po kryhen në shtëpitë ku jetojnë civilët. Sulmet më të fuqishme ndodhën sot”.

Sayuk tha se qyteti ka 106 mijë banorë dhe se për shkak të luftës 45 mijë civilë janë larguar në zona më të sigurta.

– Nga Nikopoli shikohet centrali bërthamor i Zaporizhzhia-s nën kontrollin e forcave ruse

Centrali bërthamor i Zaporizhzhia-s, i cili kaloi nën kontrollin e forcave ruse në periudhat e para kur filloi lufta, shikohet qartë nga Nikopoli për shkak se ndodhet në bregun përballë liqenit të Digës Kakhovka.

Kategoritë
BotaLajme