Ukrainë, civilët në qytetin Bakhmut evakuohen nën bombardime të forta

Ekipi i Anadolu Agency (AA), i cili hyri në Bakhmut, vëzhgoi operacionin e vazhdueshëm të evakuimit të civilëve në rajon

Civilët në qytetin ukrainas Bakhmut, i njohur si vendi ku ndodhën konfliktet më të rënda në luftën me Rusinë, po evakuohen nga aty nën sulme intensive.

Ndërsa qyteti i Bakhmutit në rajonin e Donetskut është rrënuar për shkak të përleshjeve të dhunshme. Civilët të cilët qëndrojnë këtu luftojnë për jetën e tyre nën sulmin e plumbave.

Nën bombardime të forta janë edhe rrugët që çojnë në Bakhmut, të cilat forcat ruse po përpiqen t’i rrethojnë.

Në kushte shumë të vështira vazhdon evakuimi i civilëve që qëndrojnë në qytet dhe vendbanimet përreth nën kontrollin e ushtrisë së Ukrainës.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës hyjnë në zonën e konfliktit me mjetet e tyre të blinduara dhe i çojnë civilët nga Bakhmuti në zona më të sigurta.

Ekipi i Anadolu Agency (AA), i cili hyri në Bakhmut, filmoi operacionin e vazhdueshëm të evakuimit të civilëve në rajon.

Duke folur për AA pas evakuimit në rrethet e jashtme të qytetit, ku ushtria ruse u afrua deri në 2 kilometra në disa vende, zyrtari për media i Administratës së Policisë në Bakhmut, majori Pavlo Diachenko tha se një ekip special i quajtur “Engjëlli i Bardhë” ishte krijuar nga Ministria për evakuimin e civilëve në zonat ku vazhdojnë luftimet e ashpra në Ukrainë.

Sipas tij, jeta në Bakhmut, e njohur si pika më e nxehtë e luftës, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për njerëzit. Diachenko tha se ata ndihmuan qytetarët që donin të evakuoheshin, të largoheshin nga rajoni.

Ai tha se ata evakuuan njerëzit nga zonat më të rrezikshme në periferi të qytetit. “Sot ne u afruam 2 kilometra nga pozicionet e armikut. Sistemet e artilerisë dhe sulmet me mortaja vazhdojnë aty vazhdimisht”, theksoi Diachenko.

“Ushtria ukrainase vazhdon të mbrojë qytetin pavarësisht nga sulmet e ushtrisë ruse. I gjithë qyteti është nën kontrollin e Forcave të Armatosura të Ukrainës”, tha Diachenko.

Duke nënvizuar se rreth 8.000 civilë, përfshirë fëmijë, jetojnë në qytet tani për tani, Diachenko tha: “Ne po evakuojmë njerëzit që duan evakuim nga rajoni. Ne gjithashtu dërgojmë ndihma për ata që kanë nevojë për ndihmë humanitare”.

Evakuimi i 74-vjeçares pasi iu shkatërrua shtëpia

Ekaterina Titorenko, 74-vjeçe e cila u evakuua nga Diachenko tha se do të shkojë përkohësisht në qytetin ukrainas Dnipro. Ajo tregoi se si shtëpia e saj dykatëshe në Bakhmut u shkatërrua për shkak të sulmeve.

“Isha jashtë në oborrin e shtëpisë. Dëgjova një zhurmë. Fillimisht e injorova pasi kishte shpërthime të vazhdueshme. U ktheva dhe pashë që shtëpia ime ishte sulmuar. Si pasojë e sulmit, kati i dytë dhe çatia e shtëpisë sime u shkatërrua e gjitha. Kam jetuar për një periudhë tek shtëpia e fqiut”, tha ajo.

Të evakuuarit dërgohen në zona më të sigurta të vendit

Ndërkohë që lufta kundër Rusisë vazhdon prej më shumë se 11 muajsh, civilët e evakuuar nga rajoni i Donetskut, ku ndodhën luftimet më të ashpra, sillen në stacionin e trenit në qytetin e Pokrovsk.

Njerëzit që evakuohen nga qytete, fshatra dhe qyteza të ndryshme të rajonit dhe sillen në stacion dërgohen në zona më të sigurta me tren.

Kategoritë
BotaLajme