Marrëveshja për bashkëpunim në turizëm dhe për zhvillimin e pasurive të paluajtshme ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve është e paligjshme.
Kjo është thënë nga presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, pas një takimi që ka pasur në Ulqin me kryetarin e Komunës, Genci Nimanbegu, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë komunalë, përcjell Telegrafi.
Sipas mediave lokale, Milatoviq theksoi se pasi ka biseduar me të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Ulqinit në kuvendin lokal, po dërgon një “mesazh të rëndësishëm” – se presidenti i shtetit është me qytetarët e Ulqinit, sidomos tani kur fitet për temën e marrëveshjes së nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Në Ulqin nuk ka njeri që është kundër investimeve dhe këtë e kam dëgjuar sot nga të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Ulqinit, të cilët vijnë nga të gjitha partitë politike. Megjithatë, çdo investim që vjen në Ulqin ose në Mal të Zi duhet të bazohet në dy gjëra kryesore: ligjet e shtetit të Malit të Zi dhe nevojat e qytetarëve”, ka thënë fillimisht ai.
Sipas tij, “marrëveshja që bie ndesh me ligjet malazeze duhet të jetë e kundërligjshme, sepse bie ndesh me parimet e Kushtetutës së Malit të Zi, dhe si e tillë është në kundërshtim me nevojat e komunitetit lokal, i cili në Kuvendin e Komunës së Ulqinit tha qartë se është kundër një investimi të tillë të paralajmëruar”, citohet të ketë thënë Milatoviq, siç njoftoi kabineti i tij.
Kujtojmë se shfaqja e një kompanie arabe, e cila pretendonte se do ta kthejë qytetin më jugor malazez, në siç thonë ata, Dubain e ri, ka bërë bujë në Mal të Zi – dhe ka nxitur reagime dhe kundërshtime të shumta.
Reagimet kishin ardhur disa ditë pasi qindra banorë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe biznesmenë nga Ulqini protestuan në këtë qytet në jug të Malit të Zi, duke thënë se “Ulqini nuk është në shitje”.
Kompania arabe, ndër tjerash, më 11 mars dorëzoi ofertën më të mirë për dhënien me qira për një periudhë katërvjeçare të nëntë nga 19 plazhet në Plazhin e Madh të Ulqinit.
Ajo thuhej se është e interesuar që të bëjë investime në Plazhin e Madh, i cili është afër 13 kilometra i gjatë dhe ende i pa ndërtuar.