UNHCR: 20-30 mijë njerëz largohen ilegalisht nga Afganistani çdo javë

“Këtë vit brenda vendit janë zhvendosur më shumë se gjysmë milioni njerëz. Parashikojmë që 20 deri në 30 mijë njerëz largohen ilegalisht çdo javë”, tha Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) për Refugjatët në Afganistan

Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) për Refugjatët në Afganistan, Caroline Van Buren, tha se 20 deri në 30 mijë njerëz largohen ilegalisht me rrugë tokësore çdo javë nga Afganistani dhe se shumica e tyre kalojnë në Iran, transmeton Anadolu Agency (AA).

Van Buren u adresua në konferencën për media të mbajtur në Qendrën e Përgjithshme të OKB-së përmes video-konferencës, ku ajo dha informacione rreth zhvillimeve të fundit në Afganistan, pasi talebanët morën kontrollin e vendit.

Ajo bëri të ditur se kanë marrë lajme për shkelje të të drejtave të njeriut kundër grave.

“Marrim lajme se në disa rajone gratë nuk lejohen të punojnë, ndërsa në disa vende gratë nuk lejohen që të lëvizin pa praninë e një mashkulli nga familja pranë tyre”, tha Van Buren.

“Këtë vit brenda vendit janë zhvendosur më shumë se gjysmë milioni njerëz. Parashikojmë që 20 deri në 30 mijë njerëz largohen ilegalisht çdo javë”, shtoi ajo.

Ajo tha se një pjesë e afganëve kalojnë në Pakistan nëse kufiri është i hapur, ndërsa shumica kalojnë në Iran.

Drejtoresha e Programit Botëror të Ushqimit për Afganistanin, Mary Ellen McGroarty, nga ana e saj, tha se OKB-ja ka biseduar me talebanët se si do të funksionojë aeroporti pasi SHBA-ja të dorëzojë kontrollin pas evakuimeve.

McGroarty theksoi se aeroporti ka një rëndësi kritike për dërgimin e ndihmave humanitare.

– Procesi i dominimit të talebanëve në vend

Në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në muajin shkurt të vitit 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.

Teksa marrëveshja parashikon që forcat e huaja të mos sulmohen, ajo nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.

Talebanët të cilët vazhdojnë negociatat në Doha me qeverinë afgane, me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori dominuan me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale në Afganistan.

Duke rrethuar kryeqytetin Kabul, talebanët më 15 gusht morën kontrollin e qytetit pa konflikt pasi presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Kategoritë
BotaLajme