“Dhuna e fundit shton shifrën marramendëse prej më shumë se 160 fëmijëve të vrarë në Gaza në pak më shumë se një muaj. Kjo është mesatarisht katër fëmijë çdo ditë që nga fillimi i nëntorit”, tha shefja e UNICEF-it
Shefja e Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF), Catherine Russell, kërkoi veprim pasi fëmijët në Rripin e Gazës përballen me gjakderdhje çdo ditë, transmeton Anadolu.
“Bota nuk mund të shikojë anësh kur kaq shumë fëmijë janë të ekspozuar ndaj gjakderdhjes së përditshme, urisë, sëmundjeve dhe të ftohtit”, tha Russell në një deklaratë të premten vonë.
“Ne u bëjmë thirrje urgjentisht të gjitha palëve në konflikt dhe atyre që kanë ndikim mbi ta për të ndërmarrë veprime vendimtare për t’i dhënë fund vuajtjeve të fëmijëve, për të liruar të gjithë pengjet, për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe për t’iu përmbajtur detyrimeve sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”, shtoi ajo.
Ajo vuri në dukje se 33 persona, duke përfshirë të paktën tetë fëmijë, raportohet të jenë vrarë të enjten në një tjetër “sulm shkatërrues” në kampin Nuseirat në Gazën qendrore.
“Dhuna e fundit shton shifrën marramendëse prej më shumë se 160 fëmijëve të vrarë në Gaza në pak më shumë se një muaj. Kjo është mesatarisht katër fëmijë çdo ditë që nga fillimi i nëntorit”, tha Russell.
Ajo theksoi se gjatë 14 muajve të fundit, më shumë se 14.500 fëmijë thuhet se janë vrarë dhe pothuajse të gjithë nga 1,1 milion fëmijët në Gaza kërkojnë urgjentisht mbrojtje dhe ndihmë për shëndetin mendor.
“Nuk ka asnjë hapësirë të sigurt në Gaza, as ndonjë ndjenjë stabiliteti për fëmijët, të cilëve u mungojnë gjërat thelbësore si ushqimi, uji i sigurt, furnizimet mjekësore dhe rroba të ngrohta, ndërsa temperaturat e dimrit po bien”, tha Russell.
“Sëmundjet e parandalueshme vazhdojnë të përhapen me shpejtësi, duke përfshirë më shumë se 800 raste të hepatitit dhe më shumë se 300 raste të lisë së dhenve”, shtoi shefja e UNICEF-it.