UNICEF: Në dy muajt e fundit në Liban çdo ditë janë vrarë mesatarisht më shumë se tre fëmijë

“Mesatarisht më shumë se tre fëmijë janë vrarë çdo ditë në Liban gjatë dy muajve të fundit. Shumë të tjerë janë plagosur dhe traumatizuar”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder

Zëdhënësi i Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), James Elder, njoftoi se mesatarisht më shumë se tre fëmijë janë vrarë çdo ditë në dy muajt e fundit në Liban, i cili është nën sulme intensive nga Izraeli, transmeton Anadolu.

Elder bëri vlerësime në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë. Duke kujtuar se në Liban në më pak se dy muaj u vranë më shumë se 200 fëmijë, Elder deklaroi se nuk u ndërmor asnjë hap për të ndaluar këto vrasje dhe se kishte një “normalizim të heshtur të tmerrit”.

“Mesatarisht më shumë se tre fëmijë janë vrarë çdo ditë në Liban gjatë dy muajve të fundit. Shumë të tjerë janë plagosur dhe traumatizuar. Ne duhet të shpresojmë që njerëzimi të mos jetë më dëshmitar i masakrës së vazhdueshme të fëmijëve në Gaza, por për fëmijët në Liban, ka ngjashmëri rrëqethëse. Janë qindra mijëra fëmijë të mbetur pa shtëpi në Liban”, tha Elder.

Ai theksoi se disa shkolla që u hapën në fillim të këtij muaji u mbyllën sërish për shkak të sulmeve në rritje në Liban dhe theksoi se këto sulme kishin efekte të rënda psikologjike tek fëmijët në Liban, ashtu si në Gaza.

“Ashtu si në Gaza, njëjtë edhe në Liban, situata e pa tolerueshme, në heshtje kthehet në të pranueshme. Edhe një herë, ulërimat e fëmijëve nuk dëgjohen, heshtja e botës bëhet shurdhuese. Kjo është një normale e re e tmerrshme dhe e papranueshme”, tha Elder.

Kategoritë
BotaLajme