“Sulmi më i fundit, dje, vrau pesë fëmijë në Al Mawasi”, tha agjencia e OKB-së
Të paktën 74 fëmijë u vranë nga Izraeli në Rripin e Gazës gjatë javës së parë të vitit 2025, tha sot Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF), transmeton Anadolu.
“Sulmet e natës” të Izraelit në zona si Qyteti i Gazës, Khan Younis dhe Al Mawasi – e supozuar si “zonë e sigurt” – kanë marrë jetë të reja, ndërsa UNICEF-i deklaroi se “sulmi më i fundit, dje, vrau pesë fëmijë në Al Mawasi”.
“Për fëmijët e Gazës, viti i ri ka sjellë më shumë vdekje dhe vuajtje nga sulmet, privim dhe ekspozim në rritje ndaj të ftohtit”, tha drejtoresha ekzekutive Catherine Russell në një deklaratë, duke shtuar: “Armëpushimi është shumë i vonuar”.
Duke theksuar përkeqësimin e krizës humanitare në Gaza, agjencia vuri në dukje se më shumë se një milion fëmijë jetojnë në tenda të improvizuara, me shumë familje të zhvendosura prej muajsh.
“Që nga 26 dhjetori, tetë foshnja dhe të sapolindur thuhet se kanë vdekur nga hipotermia – një kërcënim i madh për fëmijët e vegjël që nuk janë në gjendje të rregullojnë temperaturën e trupit të tyre”, thuhet në deklaratë.
Duke vënë në dukje se shkatërrimi i infrastrukturës civile dhe spitalet e mbingarkuara përkeqësojnë krizën, UNICEF-i përmendi mbylljen e spitalit Kamal Adwan, i vetmi spital pediatrik në Gazën veriore, pas një sulmi izraelit muajin e kaluar.
“UNICEF-i ka paralajmëruar prej kohësh se strehimi i pamjaftueshëm, mungesa e aksesit në ushqim dhe kujdes shëndetësor, situata e rëndë sanitare dhe tani moti i dimrit vënë në rrezik jetën e të gjithë fëmijëve në Gaza”, ka thënë Russell.
UNICEF-i kërkoi t’u jepet fund sulmeve ndaj civilëve dhe të lejohet që ndihma për shpëtimin e jetëve të arrijë tek ata në nevojë. Agjencia theksoi më tej rëndësinë e shpërndarjes së ndihmave dhe furnizimeve për mbijetesën e fëmijëve në Gaza.
Duke bërë thirrje për veprime të menjëhershme për të përmirësuar sigurinë, në mënyrë që punonjësit e ndihmës të mund t’ua dërgojnë në siguri furnizimet familjeve, Russell ka thënë: “Familjet kanë nevojë për përfundimin e këtyre vuajtjeje të paimagjinueshme”.