Usame Zukorliç: Zhvarrosja e trupit të babait, moment i vështirë

Pasdite në varrezat e fshatit Orlje ka filluar zhvarrosja e trupit të ish-kryemyftiut të Bashkësisë Islame në Serbi dhe themeluesit të Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit, Muamer Zukorliç.

Usame Zukorliç, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Pajtim (SPP) dhe djali i të ndjerit Muamer Zukorliç tha se zhvarrosja e trupit të babait të tij ishte një moment i vështirë për familjen, raporton Anadolu Agency (AA).

Megjithatë, ai ka thënë se përpara emocioneve është nevoja të vërtetohet shkaku i vdekjes së Muamer Zukorliçit.

Zhvarrosja e trupit të ish-kryemyftiut të Bashkësisë Islame në Serbi (IZuS) dhe themeluesit të Partisë për Drejtësi dhe Pajtim (PSP), Muamer Zukorliç, filloi në mesditë në varrezat në fshatin Orlje të komunës së Tutinit, në Sanxhak të Serbisë.

Zhvarrosja, siç ishte paralajmëruar më herët, po kryhet nga një ekip ekspertësh ndërkombëtarë i përbërë nga autopsistë mjeko-ligjorë nga Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Gjermania.

Procesi i zhvarrosjes mbikëqyret nga Prokuroria e Shtetit të Bosnjë e Hercegovinës.

Usame ka falënderuar autoritetet gjyqësore të Serbisë, të cilat kanë pranuar pothuajse çdo kërkesë.

“Për të formuar një ekspertizë ndërkombëtare, edhe pse kjo nuk është zakon në praktikën e gjykatës, të huajt angazhohen vetëm në ndonjë periudhë të shkallës së dytë. Megjithatë, ata e pranuan kërkesën tonë për formimin e ekspertizës ndërkombëtare menjëherë”, tha Usame.

Ai tha se babai i tij pas autopsisë do të varroset në haremin e xhamisë Altun-alem në Novi Pazar.

“Që nga momenti kur është varrosur në fshatin Orlje, që ishte dëshira e familjes, ne si familje kemi përjetuar presion të madh nga miqtë dhe opinioni publik sepse kemi lejuar që një njeri i madh të varroset larg qytetit, edhe pse ky është fshati i tij i lindjes. Mirëpo, Zoti i dashur ka urdhëruar të bëhet zhvarrimi dhe u hap mundësia që të korrigjohet ai gabim historik dhe myftiu të varroset në haremin e xhamisë Altun-alem bashkë me të mëdhenj të tjerë siç e meriton”, shtoi Usame.

Jozyrtarisht, autopsia do të bëhet në Spitalin e Përgjithshëm të Novi Pazarit.

Kategoritë
LajmeRajoni