Numri i palestinezëve të ndaluar në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori 2023 ka kaluar 11.800
Ushtarët izraelitë arrestuan 15 palestinezë, duke përfshirë një fëmijë, gjatë bastisjeve në qytete të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët të bërë nga Delegacioni i të Burgosurve dhe të Liruarve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe Shoqatës së të Burgosurve Palestinez, thuhet se ushtarët izraelitë vazhduan bastisjet e tyre në shtëpitë e palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Në deklaratë theksohet se ushtria izraelite që nga mbrëmë ka kryer bastisje në qytetet Ramallah, Betlehem, Qalqilya, Nablus dhe Khalil.
Theksohet se gjatë bastisjeve, ushtarët izraelitë arrestuan 15 persona, duke përfshirë një fëmijë dhe një ish të arrestuar.
Gjithashtu u raportua se gjatë bastisjeve, shtëpitë e palestinezëve u shkatërruan dhe të arrestuarit dhe familjet e tyre iu nënshtruan rrahjeve dhe kërcënimeve.
Në deklaratë thuhet se numri i palestinezëve të ndaluar në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori 2023 ka kaluar 11.800.
Që nga 7 tetori 2023, kur Izraeli filloi sulmin e tij në Rripin e Gazës, ka pasur një rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.
Nga ajo datë, 794 palestinezë, përfshirë 167 fëmijë, kanë humbur jetën në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që uzurpuan tokat palestineze në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.