Ushtria izraelite ka nisur një hetim pasi anëtarët e saj u filmuan duke hedhur trupat e pajetë të tre palestinezëve nga çatia e një ndërtese banimi gjatë një bastisjeje në Bregun Perëndimor të pushtuar. Videoja është filmuar në qytetin Qabatiya, në veri të Bregut Perëndimor, dhe tregon gjithashtu një buldozer ushtarak izraelit duke nxjerrë trupat. Pamjet kanë ndezur më tej zemërimin e palestinezëve. Ushtria izraelite ka deklaruar sot se bëhet fjalë për një “incident serioz” që “nuk është në përputhje me vlerat e tyre” dhe atë që pritet nga anëtarët e tyre.
Zyrtarët lokalë palestinezë pretendojnë se forcat izraelite kanë vrarë të paktën shtatë persona dje në Qabatiya. Sipas të drejtës ndërkombëtare, ushtarët janë të detyruar të trajtojnë trupat e pajetë, përfshirë trupat e pajetë të ushtarëve armiq, me respekt.
Ushtria izraelite ka njoftuar se ka kryer një operacion kundër terrorizmit në Qabatiya, gjatë të cilit katër militantë u vranë në shkëmbim zjarri, ndërsa tre të tjerë u vranë nga një sulm me dron ndaj një automjeti.
Një gazetar nga Qabatiya tha për BBC se forcat izraelite kishin rrethuar ndërtesën në orët e mëngjesit të djeshëm. Sipas tij, katër burra, që ishin në ndërtesë, u ngjitën në çati për t’u shpëtuar, ku snajperët i vranë ata.
Luftimet vazhduan në qytet dhe, kur situata u qetësua, ai tha se pa ushtarët izraelitë duke u ngjitur në çati dhe duke ulur trupat që u ngarkuan në një buldozer. Ushtria izraelite pretendon se ndër të vrarët në Qabatiya ishte Shadi Zakameh, të cilin e identifikuan si përgjegjës për sulmet në rajonin verior të Bregut Perëndimor. Ata pohuan se Zakameh ishte kreu i një organizate terroriste, por nuk dhanë detaje të tjera.
Ministria e Jashtme palestineze dhe ajo e Mërgimtarëve deklaruan se ky është një krim që zbuloi brutalitetin e ushtrisë izraelite, raporton BBC.