Ushtarët izraelitë ngacmuan ekuipazhin e televizionit shtetëror gjerman, duke i pyetur nëse ishin hebrenj

Ushtarët izraelitë ndaluan ekuipazhin e shërbimit publik gjerman ARD pasi po ktheheshin nga xhirimet në Bregun Perëndimor dhe i kërcënuan me armë, sipas mediave gjermane.

Incidenti ndodhi të dielën pasdite pasi një ekuipazh nga shërbimi publik Bayerische Rundfunk (BR) me bazë në Tel Aviv u kthye nga një udhëtim në terren që hetonte dhunën e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Korrespondenti Jan-Christoph Kitzler tha se ushtarët izraelitë i ndaluan në jug të qytetit të Hebronit dhe i mbajtën për një orë. Gjatë asaj kohe, ushtarët janë sjellë shumë agresivisht, duke i kërcënuar me armë.

“Ushtarët na kërcënuan me armë dhe na pyetën nëse ishim hebrenj. Ata e quajtën një nga kolegët tanë tradhtar,” tha Kitzler.

Situata u qetësua vetëm pas një ore kur në vendngjarje mbërritën ushtarë të tjerë dhe policia.

Bayerische Rundfunk e konsideron këtë incident një sulm ndaj lirisë së medias. Kitzler thekson se ekipi i tyre e identifikoi qartë veten si gazetarë të kredencializuar dhe se ata ishin larg një zone ku qasja ndaj gazetarëve është e ndaluar. Kitzler gjithashtu dënoi sjelljen e ushtrisë izraelite si të papranueshme.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite deklaroi se historia e këtij incidenti aktualisht po hetohet.

Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Izrael i ka bërë thirrje ushtrisë izraelite që të respektojë të drejtat e gazetarëve, veçanërisht pas incidenteve të fundit në të cilat gazetarët u raportuan se ishin sulmuar nga banorët e vendbanimeve ilegale hebreje në Bregun Perëndimor.

Kategoritë
BotaLajme