Ushtria e Sudanit akuzon forcat rivale paraushtarake se hapën zjarr ndaj avionit turk

Ushtria sudaneze njoftoi se avioni turk i modelit C-130 është qëlluar nga RSF-ja ndërsa po përgatitej për të ateruar në aeroportin “Wadi Seidna”

Ushtria e Sudanit akuzoi sot Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) se hapën zjarr ndaj avionit turk që kishte shkuar në vendin afrikan për të evakuuar shtetasit turq, raporton Anadolu.

Ushtria sudaneze njoftoi se avioni turk i modelit C-130 është qëlluar nga RSF-ja ndërsa po përgatitej për të ateruar në aeroportin “Wadi Seidna”, ku si pasojë është plagosur një anëtar i bordit dhe është dëmtuar sistemi i karburantit.

Avioni, megjithatë, ateroi i sigurt në aeroport dhe se janë kryer punët e mirëmbajtjes, shtoi ushtria sudaneze.

Ushtria sudaneze ka paralajmëruar luftëtarët e RSF-së që të mos përpiqen të pengojnë përpjekjet e evakuimit nga vendet e tjera me një “sjellje të tillë të rrezikshme”.

Përleshjet në Sudan u përshkallëzuan më 15 prill me luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë në dhe rreth Khartoumit.

Në muajt e fundit, mosmarrëveshjet midis ushtrisë dhe njësive paraushtarake janë tensionuar rreth reformës së sigurisë ushtarake. Reforma parashikon pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri, e cila është një nga çështjet kryesore në negociatat ndërmjet palëve ndërkombëtare dhe rajonale për kalimin në një qeverisje civile dhe demokratike në Sudan.

Kategoritë
BotaLajme