“Ushtria gjermane arrin të transportojë birrë, por jo edhe të sjellë stafin afgan”

Qeveria e kancelares Merkel është përballur me kritika për shkak të zvarritjes së përpjekjeve për të evakuuar afganët që punonin për ushtrinë gjermane, agjencitë dhe organizatat joqeveritare.

Qeveria gjermane po përballet me kritika në rritje për dështimin e evakuimit të stafit mbështetës afgan para se talebanët të marrin Afganistanin.

E përditshmja gjermane “Bild”, kritikoi ashpër qeverinë në një artikull, “Tërheqja e Gjermanisë nga Afganistani: U transportuan birra dhe vera – stafi lokal ende po qëndron”, e cila e fajësoi atë për braktisjen e stafit afgan që rrezikoi jetën për vendin e tyre.

Ushtria gjermane dërgoi gati 65 mijë kanaçe birrë dhe 340 shishe verë në Gjermani ndërsa përfundonte tërheqjen e trupave të saj nga Afganistani në fund të qershorit, raportoi e përditshmja.

Por, qindra personave nga stafi afgan dhe anëtarëve të familjeve të tyre nuk iu dhanë viza dhe nuk u evakuuan menjëherë, megjithëse talebanët përparuan në të gjithë vendin.

“Ata që punuan për shumë vite për Gjermaninë dhe rrezikuan jetën, me sa duket vlejnë më pak se kanaçet e birrës për qeverinë federale”, shkroi e përditshmja në një pjesë të analizës së saj.

Christoph Hoffmann, deputet nga Partia Demokratike e Lirë e opozitës, kritikoi ministrin e Jashtëm Heiko Maas për gabime të rënda dhe dështimit për t’i dhënë prioritet evakuimit të afganëve që punuan për ministritë dhe agjencitë gjermane për shumë vite.

“Ky është turp”, tha ai për “Bild”, duke shtuar se qeveria federale “nuk ka arritur të vlerësojë si duhet situatën” në Afganistan në dy muajt e fundit.

Në një takim parlamentar në qershor, Hoffmann pyeti Maas për planet e qeverisë për sjelljen e stafit afgan që kishin punuar për Gjermaninë.

Maas tha se negociatat e paqes midis qeverisë afgane dhe talebanëve ka të ngjarë të vazhdojnë për ca kohë dhe ai hodhi poshtë thirrjet e deputetëve të opozitës për të sjellë më shumë personel afgan në Gjermani, përfshirë ata që nuk kishin kontrata pune me forcat e armatosura gjermane, por punuan për agjencitë apo institucionet e tjera.

Gjatë një debati televiziv, Maas tha se dhënia e vizave për këta njerëz dhe familjet e tyre do të ishte një mesazh i gabuar.

“Në këtë rast ne nuk do të flisnim për 2.000 njerëz, por për 20.000 njerëz”, tha Maas duke këmbëngulur se qeveria e tij nuk dëshiron të provokojë flukse të reja refugjatësh.

Gjermania dërgoi tre avionë ushtarakë për të evakuuar personelin e mbetur diplomatik dhe stafin afgan të hënën, por vetëm njëri arriti të ulet për shkak të kaosit në aeroport. Avionët e tjerë u devijuan në vendet fqinje.

Në dy javët e fundit, Berlini ka evakuuar afro 2.000 punonjës lokalë nga Afganistani, sipas qeverisë. Por, më shumë se 10.000 ende po përpiqen të iknin, përfshirë afganët që punonin për agjencitë gjermane të zhvillimit, organizatat joqeveritare dhe mediat si dhe aktivistë dhe avokatë për të drejtat e njeriut.

Kategoritë
BotaLajme