Ushtria izraelite bastisi një qendër shëndetësore që i përket Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe e përdori atë si një zonë të përkohshme paraburgimi
Ushtria izraelite bastisi një qendër shëndetësore që i përket Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe e përdori atë si një zonë të përkohshme paraburgimi, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga UNRWA vihet në dukje se ushtarët izraelitë hynë me forcë në Qendrën Shëndetësore të Kampit të Refugjatëve Arroub pranë qytetit të Betlehemit më 12 shkurt dhe e përdorën atë për të arrestuar dhe marrë në pyetje dhjetëra palestinezë.
Izraeli ka shpërfillur hapur imunitetin e objekteve të OKB-së dhe se incidente të ngjashme kundër objekteve të UNRWA-së në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë ndodhur vazhdimisht që nga tetori 2023.
Gjithashtu në deklaratë vihet në dukje vendimi i Izraelit për të ndaluar UNRWA-në. “UNRWA nuk ka qenë në gjendje të komunikojë me Izraelin që nga 30 janari dhe për këtë arsye nuk ka mundur të raportojë incidente të tilla dhe të kërkojë zgjidhje”, thuhet më tej.
– Sulmet izraelite në veri të Bregut Perëndimor
Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gaza të dielën më 19 janar, ushtria izraelite nisi të martën e 21 janarit një sulm në qytetin Jenin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, të cilin e quajti “Muri i Hekurt”.
Ndërsa të hënën më 27 janar, Izraeli i zhvendosi në Tulkarm sulmet e tij të dhunshme të cilat i vazhdonte në Jenin.
Sulmet e zgjeruara me arrestime dhe ndalime të Izraelit në pjesë të tjera të Bregut Perëndimor të pushtuar, përbëjnë sulmet që kanë vazhduar me kohën më të gjatë kundër Bregut Perëndimor të pushtuar që nga Intifada e Dytë.