Ushtria izraelite shkatërron katër shtëpi palestineze në Bregun Perëndimor

Qeveria izraelite shkatërron me forcë shtëpitë palestineze, veçanërisht në “zonën C” që përbën mbi 60 për qind të Bregut Perëndimor, me arsyetimin se nuk ka “leje ndërtimi”

Ushtria izraelite shkatërroi katër shtëpi në pronësi palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Fouad al-Amour, koordinator i të ashtuquajturit Komiteti i Mbrojtjes dhe Rezistencës në pjesën jugore të Bregut Perëndimor, tha se katër shtëpitë ishin ndërtuar në dy komunitete beduinësh në qytetin Yatta, në jug të qytetit Hebron.

Dje, këshilltari bashkiak Nidal Younis tha se autoritetet izraelite kishin njoftuar banorët e komunitetit Masafer Yatta për planet për të shkatërruar disa struktura palestineze për shkak të nisjes së një stërvitjeje ushtarake në zonë.

Qeveria izraelite shkatërron me forcë shtëpitë palestineze, veçanërisht në “zonën C” që përbën mbi 60 për qind të Bregut Perëndimor, me arsyetimin se nuk ka “leje ndërtimi”. Palestinezët, nga ana tjetër, ndonjëherë duhet të presin vite për të marrë një “leje zonale”.

Në kuadrin e “Marrëveshjes së Dytë të Oslos” të nënshkruar midis Palestinës dhe Izraelit në vitin 1995, Bregu Perëndimor i pushtuar u nda në zonat A, B dhe C.

Administrimi i “zonës A”, e cila mbulon 18 për qind, iu transferua Palestinës në aspektin administrativ dhe të sigurisë, kontrolli administrativ i “zonës B” prej 21 për qind iu transferua Palestinës dhe siguria e saj iu transferua Izraelit. Ndërkaq, administrimi dhe siguria e “zonës C”, që mbulon 61 për qind të territorit, administrimi iu lanë Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme