Ushtria izraelite thotë se po përgatitet për operacion tokësor në Liban

“Ne nuk po ndalemi, avionët luftarakë kanë goditur gjatë gjithë ditës (Libanin) dhe ne po përgatitemi për manovrën”, ka thënë shefi i shtabit izraelit, gjeneral Herzi Halevi

Ushtria izraelite tha sot se po përgatitet për një operacion tokësor në Liban, ndërsa sulmet ajrore vazhdojnë të godasin vendin, transmeton Anadolu.

“Ne nuk po ndalemi, avionët luftarakë kanë goditur gjatë gjithë ditës (Libanin) dhe ne po përgatitemi për manovrën”, ka thënë shefi i shtabit izraelit, gjeneral Herzi Halevi, gjatë një stërvitje në veri, sipas një deklarate ushtarake.

Ai ka vizituar Brigadën e 7-të në kufirin verior, së bashku me komandantin e Komandës së Veriut, komandantin e Divizionit 98, komandantin e Qendrës së Stërvitjes së Forcave Tokësore dhe komandantin e Brigadës së 7-të, thuhet në deklaratë.

“Dëgjoni avionët lart; kemi kryer goditje gjatë gjithë ditës. Kjo është edhe për të përgatitur terrenin për hyrjen tuaj të mundshme, edhe për të vazhduar degradimin e Hezbollahut”, u ka thënë Halevi ushtarëve.

“Sot, Hezbollahu zgjeroi rrezen e tij të zjarrit dhe më vonë sot, ata do të marrin një përgjigje shumë të fortë. Përgatituni”, ka deklaruar ai.

Më parë, ushtria tha se që nga mëngjesi i sotëm ka goditur mbi 280 objektiva të lidhura me Hezbollahun në Liban.

Ushtria thirri dy brigada rezervë në kufirin verior me Libanin sot herët në mes të sulmeve të saj të vazhdueshme ndaj vendit.

Mobilizimi i forcave rezervë sinjalizon përgatitjet e mundshme për operacione tokësore.

Izraeli ka nisur valë sulmesh ajrore vdekjeprurëse në Liban që nga mëngjesi i së hënës, duke vrarë afro 610 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.000 të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.400 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar kundër sulmeve në Liban, duke ngritur shqetësime për përhapjen e konfliktit në rajon.

Kategoritë
BotaLajme