Siç raporton agjencia zyrtare libaneze e lajmeve NNA, ushtarët izraelitë hynë nga jugu i vendit dhe avancuan në vendbanimin Aytarun të provincës Nabatiyeh me automjete të blinduara dhe tanke
Ushtria izraelite vazhdon të shkelë marrëveshjen e armëpushimit me Libanin që hyri në fuqi më 27 nëntor, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia zyrtare libaneze e lajmeve NNA, ushtarët izraelitë hynë nga jugu i vendit dhe avancuan në vendbanimin Aytarun të provincës Nabatiyeh me automjete të blinduara dhe tanke.
Më tej theksohet se ushtria izraelite “ka kryer patrulla” me armë të rënda dhe të mesme në qytet gjatë natës dhe se në orët e mëngjesit Izraeli ka shkelur sërish armëpushimin dhe ka shënjestruar me raketë vendbanimin Aytarun.
Sulmi me raketa në fjalë shkaktoi frikë dhe panik në qytet, duke bërë që qytetarët të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Marrëveshja e armëpushimit e arritur mes Libanit dhe Izraelit ka hyrë në fuqi të mërkurën, më 27 nëntor, në orën 04:00 me orën lokale.
Izraeli e shkeli marrëveshjen e armëpushimit të paktën 136 herë në sulmet e tij duke përdorur “kërcënimet nga Hezbollahu” si arsyetim. Të paktën 14 persona humbën jetën ndërsa 13 të tjerë u plagosën në shkeljet e Izraelit.
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Kasim tha se pavarësisht dhjetëra shkeljeve të Izraelit, ata i dhanë mundësinë që marrëveshja e armëpushimit të jetë e suksesshme.