Një djalë palestinez me shtetësi amerikane është vrarë nga forcat izraelite në qytetin Turmus Ayya në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan të dielën zyrtarët palestinezë.
Ushtria izraelite e quajti atë “terrorist”, dhe sipas tyre ai u qëllua pasi rrezikonte civilët duke hedhur gurë, raporton Reuters.
Kryetari i komunës së Turmus Ayya, Adeeb Lafi, i tha Reuters-it më herët atë ditë se Omar Mohammad Rabea, 14 vjeç, u vra së bashku me edhe dy adoleshentë të tjerë nga një kolon izraelit në hyrje të Turmus Ayya-s dhe se ushtria izraelite e shpalli atë të vdekur pasi e kishte ndaluar.
Të gjitha vendbanimet izraelite dhe kolonët hebrenj që jetojnë në to konsiderohen të paligjshëm sipas të drejtës ndërkombëtare.
Ministria e Punëve të Jashtme të Palestinës e dënoi incidentin si një “vrasje jashtëgjyqësore” të kryer nga forcat izraelite gjatë një bastisjeje në qytet, duke thënë se ky është rezultat i “mosndëshkimit të vazhdueshëm” të Izraelit.
“Gjatë një aktiviteti kundër terrorizmit në zonën e Turmus Ayya-s, ushtarët e IDF-së identifikuan tre terroristë që po hidhnin gurë drejt autostradës, duke rrezikuar kështu civilët që po udhëtonin. Ushtarët hapën zjarr ndaj terroristëve që po rrezikonin civilët, duke eliminuar një terrorist dhe plagosur dy të tjerë”, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Dhuna nga kolonët në Bregun Perëndimor, përfshirë bastisjet në territoret e pushtuara dhe sulmet ndaj fshatrave dhe kampeve beduine, është intensifikuar që nga fillimi i gjenocidit në Gaza në tetor të vitit 2023.
Vendet evropiane dhe administrata e mëparshme amerikane nën presidentin Joe Biden kanë vendosur sanksione ndaj kolonëve izraelitë të dhunshëm, ndonëse Shtëpia e Bardhë nën presidencën e Donald Trump i ka hequr ato më vonë.
Ushtria izraelite gjithashtu ka ndërmarrë muajt e fundit atë që e ka quajtur një “operacion ushtarak në shkallë të gjerë” në Bregun Perëndimor me qëllim çrrënjosjen e “militantëve”.