Ushtria ukrainase hyn në Kherson pas tërheqjes ruse

Pamjet dhe fotografitë e postuara në mediat sociale tregojnë trupat e para ukrainase që arritën në sheshin qendror të qytetit Kherson

Ushtria ukrainase ka hyrë në qytetin jugor Kherson pas tërheqjes ruse nga rajoni, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pamjet dhe fotografitë e postuara në mediat sociale tregojnë trupat e para ukrainase që arritën në sheshin qendror të qytetit Kherson.

Rajoni u pushtua nga forcat ruse në fillim të luftës që filloi në muajin shkurt të këtij viti.

Pamjet treguan trupat ukrainase duke ngritur flamurin e tyre kombëtar në zyrën e policisë në Kherson. Flamujt gjithashtu u ngritën në sheshin qendror jashtë një godine qeveritare, ndërkohë që banorët brohorisnin në mbështetje të ushtarëve ukrainas.

“Sot është një ditë e jashtëzakonshme. Rusët u larguan nga bregu i djathtë i Dnipros. Është një fitore e madhe e ushtrisë ukrainase dhe popullit ukrainas. Faleminderit të gjithë aleatëve dhe miqve tanë. Fitoret tona do të ishin të pamundura pa mbështetjen tuaj”, tha në rrjetin Telegram këshilltari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, Anton Garashchenko.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, tërheqja e ushtrisë ruse nga qyteti Kherson në bregun lindor të lumit Dnipro të Ukrainës përfundoi herët në mëngjes.

“Asnjë njësi e vetme e pajisjeve ushtarake apo armatim nuk ka mbetur në bregun perëndimor. Të gjithë ushtarakët rusë kaluan në bregun e majtë të Dnipros”, thuhet në njoftimin e ministrisë ruse.

Kategoritë
BotaLajme