Gorica Dodik, vajza e liderit serb të Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, reagoi në rrjetin social X pas dënimit të përkohshëm të babait të saj për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.
“Drejtuesi i kampit të quajtur Bosnjë, Christian Schmidt, sot dha vendimin e tij për Bosnjën,” shkroi Gorica.
“Mos u gëzoni para kohe, koloni dhe skllevër të okupatorit të huaj,” shtoi ajo në një tjetër postim.
Dodik u dënua me një vit burg dhe me gjashtë vjet ndalim nga aktivitetet politike. Që përpara shpalljes së vendimit, ai kishte paralajmëruar se nuk do ta pranonte vendimin e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.
Amerikanët vendosën sanksione ndaj fëmijëve të Dodikut
Në tetor të vitit 2023, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj fëmijëve të Dodikut, Gorica dhe Igor Dodik.
“Igor Dodik është përfshirë në ryshfet ndaj politikanëve opozitarë, duke u ofruar atyre poste politike në këmbim të informacioneve kritike dhe të vendeve të vëzhguesve zgjedhorë në qendrat e votimit,” njoftoi Departamenti Amerikan i Thesarit.
Gjithashtu, “Gorica Dodik ka qenë e përfshirë në drejtimin e aktiviteteve politike dhe të biznesit për babanë e saj, duke përfshirë pronësinë e disa subjekteve që kanë marrë ndihma të mëdha financiare nga qeveria e RS-së, sipas udhëzimeve të Dodikut.”
Gorica e komentoi vendosjen e sanksioneve duke thënë se ndihej “e privilegjuar” për këtë vendim.
“Ju i keni duart e lyera me gjak deri në bërryla. Kushdo që ju mbështet është bashkëpunëtor në krimet tuaja monstruoze në mbarë botën,” iu drejtua ajo administratës amerikane.