Punonjësit e shpëtimit në Spanjë vazhduan të enjten kërkimet për të mbijetuarit, pasi përmbytjet shkatërruese rrënuan fshatra dhe lanë më shumë se 150 të vdekur në katastrofën natyrore më të rëndë që ka goditur vendin në dekadat e fundit.
Shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhitë me breshër të martën shkaktuan përmbytje në disa rajone, duke përfshirë provincën më të goditur në lindje, Valencian, duke shndërruar rrugët në lumenj që hynin në katet e para të shtëpive dhe merrnin automjete e njerëz.
Deri të enjten pasdite, autoritetet rajonale në Valencia njoftuan numrin e përditësuar të viktimave, duke thënë se kishte arritur në 155.
Dy persona të tjerë janë gjetur të vdekur në rajonin fqinj Castilla-La Mancha dhe një në Malaga. Dhjetëra persona ende figurojnë të zhdukur, sipas autoriteteve.
Më shumë se 1.000 ushtarë nga njësitë e shpëtimit spanjoll iu bashkuan punonjësve të emergjencës rajonale dhe lokale në kërkimin për trupa dhe të mbijetuar. Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, i tha radios Cadena Ser se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez premtoi mbështetje të plotë nga qeveria për zonat e prekura nga përmbytjet shkatërruese gjatë vizitës së tij në Valencia të enjten.
Ai u bëri thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, duke thënë se situata është ende e paqëndrueshme.
Sánchez tha se prioriteti është gjetja e të zhdukurve dhe premtoi të gjitha burimet e nevojshme për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të ndihmuar në nevojat emergjente të zonave të prekura dhe për rindërtimin.
Ai shtoi se ka biseduar me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka ofruar ndihmë nga BE-ja.
Ministri spanjoll i transportit thotë se trupat po gjenden në disa prej qindra automjeteve të ngecura.
Mijëra njerëz në Valencia kanë mbetur pa ujë dhe energji elektrike, dhe qindra të tjerë kanë mbetur të ngecur pasi automjetet e tyre janë shkatërruar ose rrugët janë bllokuar. Rajoni ka mbetur pjesërisht i izoluar, me disa rrugë të ndërprera dhe linja hekurudhore të ndërprera, duke përfshirë shërbimin e shpejtë për në Madrid, të cilin zyrtarët thonë se nuk do të riparohet për disa ditë.