Valverde e lavdëron ‘armën sekrete’ të Real Madridit para duelit ndaj Atletico Madrid

Real Madridi mori një fitore të rëndësishme këtë vikend, duke mposhtur me rezultat 2-1 Rayo Vallecanon në ‘Santiago Bernabeu’. 

‘Los Blancos’ u barazua me pikë me Barcelonën në krye të La Ligas, me blaugranasit që nuk e zhvilluan ndeshjen ndaj Osasunas pas rastit të vdekjes së doktorit të klubit. 

Atletico Madridi në anën tjetër gaboi në udhëtim duke u mposhtur me rezultat 2-1 nga Getafe. 

Çdo ndeshje dhe çdo detaj është i rëndësishëm në këtë pikë të sezonit teksa Carlo Ancelotti po synon të gjejë ekuilibrin në ekipin e tij.

Menaxhimi i minutave të lojtarëve ka rëndësinë e saj po ashtu me Real Madridin që po lufton në tri fronte. 

Italiani po tenton të sigurohet që asnjë lojtar nuk shkon në limitet e tij të gjendjes fizike duke iu dhënë pushim disa prej tyre, pavarësisht rrezikut për të lëshuar pikë. 

Fede Valverde është njëri nga këta lojtarë që gjatë muajit të fundit shpeshherë e ka gjetur veten në bankë për ta menaxhuar një problem muskulor. 

Reprezentuesi uruguaian mori 25 minuta në fitoren ndaj Rayos, teksa pranoi që ‘arma sekrete’ e klubit, stafi mjekësor, po punon orë shtesë për t’u siguruar që lojtarët të kenë rikuperim dhe pushim të duhur në këtë kalendar të ngjeshur. 

“Ne e dimë se mbrëmja e së mërkurës do të jetë ndeshja e sezonit. Ne e vlerësojmë mbështetjen dhe nëse jemi të bashkuar, ne mund të arrijmë gjithçka”. 

“Ndihem mirë dhe i lumtur. Mendërisht jam shumë i qetë. Ne po bëjmë atë që duhet të bëjmë për t’u rikuperuar, me ndihmën e doktorëve, fizioterapeutëve dhe familjeve tona në shtëpi, të sigurohemi që jemi në gjendjen më të mirë fizike”, ka thënë Valverde

Kategoritë
LajmeSport