Vaskularja e QKUK-së me 1700 pacientë në pritje

1700 pacientë janë në listën e pritjes për trajtimin e venave të zgjeruara në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.

E, aktualisht janë duke u ftuar pacientët që kanë rezervuar termin në korrik të 2018.

Në këtë tejzgjatje të listës siç thotë edhe drejtuesi i kësaj klinike Hajriz Rudari, kohëve të fundit ka ndikuar edhe mungesa e anesteziologëve, për shkak se mbi 90% e këtyre rasteve kanë nevojë për intervenim klasik.

Anise, kjo klinikë qysh prej janarit të 2020 posedon edhe aparatin e  RadioFrekuencës , megjithatë jo të gjithë pacientët mund të trajtohen me këtë metodë të avancuar, edhe pse nuk nevojitet  anesteziologë për këtë.

Kjo për shkak se vetëm ata që janë në fazë fillestare dhe kryesisht mosha të reja mund të trajtohen në këtë mënyre.

Sipas Rudarit nga afro 90 pacientë sa janë kontrolluar vetëm 8 janë seleksionuar për këtë metodë.

Ky i fundit thekson se Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë  që po e trajton këtë problematikë ia ka dorëzuar disa opsione si të evitohet lista e pritjes.

Njëra nga këto është që në secilin spital regjional duke dërguar profesionistë nga QKUK-ja të bëhet ky lloj intervenimi për pacientët e zonës, ngase kjo  klinikë është e vetmja në nivel vendi që ofron këtë shërbim kirurgjik dhe ka vetëm 24 shtretër.

Kategoritë
LajmeVendi